Lajme

Banorët e Laprakës pengojnë shkatërrimin e fushës së sportit

Banorët e lagjes Laprakë në Tiranë kanë dalë në protestë ditën e sotme, pasi pretendojnë se fusha sportive, një terren që prej 20 vitesh është përdorur prej tyre, do të prishet.

Sipas tyre, në vend të fushës pritet të ndërtohet një pallat. Sot në mëngjes, ata u dolën para mjeteve të rënda që ishin afruar pranë kësaj fushe për ta shkatërruar. Banorët ishin njoftuar se fushës sportive i ka dalë pronari dhe se në këtë ambient ku luajnë mijëra fëmijë të zonës, do të ndërtohet nga kompania “Salillari”.

Banorët thonë se kompleksi sportiv është në truall pronë shtetërore dhe se dalja e pronarit është e pakuptimtë.

“Këtë e ka pasur italiani, më pas i kaloi shtetit. Ku doli pronari këtu? Të vijë dikush të na sqarojë”, shprehen banorët.

Fusha e sportit me donacione të ndryshme është mbajtur në këmbë për t’u dhënë mundësi fëmijëve të zonës të luajnë, por edhe të stërviten.

Banorët e Laprakës thonë se do të qëndrojnë aty dhe nuk do të lejojnë shkatërrimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë