Para

Bankat do të rishikojnë kreditë për të dëmtuarit nga tërmeti

Bankat e Nivelit të Dytë në një mbledhje me guvernatorin e Bankës Qendrore Gent Sejko, kanë sugjeruar hartimin e një plani masash për klientët kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit për të ristrukturuar kreditë përkatëse, nëse do të jetë e nevojshme, pa aplikuar kosto shtesë.

Guvernatori Gent Sejko mbledh në tryezë përfaqësuesit e bankave të nivelit të dytë për masat ndaj të prekurve nga tërmeti dhe rimëkëmbjen e ekonomisë

Guvernatori Sejko u kërkoi bankave t’u vijnë në ndihmë klientëve të tyre të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duke u ofruar të gjitha lehtësitë e mundshme, si nëpërmjet rishikimit të kushteve të marrëdhënieve ekzistuese, ashtu edhe trajtimit të kujdesshëm të kërkesave të tyre në të ardhmen.

Lidhur me vlerësimin e situatës, Guvernatori u kërkoi bankave analizimin sa më të shpejtë të impaktit në cilësinë e portofolëve respektive të kredive dhe u bëri thirrje të shikojnë të gjitha mundësitë, që pasojat e kësaj ngjarjeje të rëndë të mos shkaktojnë ngadalësim në ritmin e kreditimit të ekonomisë.

Gjithashtu ai iu kërkoi bankave ofrimin e asistencës dhe bashkëpunimit të plotë për të gjithë ata klientë kredimarrës të prekur nga dëmet e tërmetit, në marrëdhëniet me kompanitë e sigurimit.

Sipas Guvernatorit Sejko, parësor mbetet angazhimi maksimal i bankave tregtare për vijimin e veprimtarisë së tyre të plotë operacionale, me qëllim ofrimin e të gjitha produkteve dhe shërbimeve financiare.

Nga ana e tyre, drejtuesit e bankave tregtare u shprehën se kanë bërë vlerësimin e situatës së krijuar në qytetet e dëmtuara nga tërmeti dhe, pavarësisht dëmtimeve të disa mjediseve në zona të caktuara, janë angazhuar për vazhdimin normal të ofrimit të të gjitha shërbimeve të nevojshme financiare. Ata theksuan se po vlerësojnë individualisht të gjithë klientët e tyre kredimarrës të prekur nga tërmeti, për të pasur një panoramë më të qartë të situatës.

Për Sejkon, bashkëpunimi i ngushtë midis të gjithë aktorëve është i domosdoshëm për të harmonizuar dhe koordinuar masat që do të ndërmerren, me qëllim maksimizimin e eficiencës së veprimeve të të gjitha palëve për kapërcimin e kësaj situate.

Guvernatori u kërkoi bankave të vazhdojnë bashkëpunimin produktiv me qeverinë, autoritetet e tjera publike apo edhe ato të huaja, si dhe shprehu gatishmërinë e plotë të Bankës së Shqipërisë për të kontribuar aktivisht në çdo përpjekje të përbashkët, në çdo moment.
Përfaqësuesit e bankave u shprehën se institucionet që përfaqësojnë do të japin donacione për të prekurit nga tërmeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë