Biznes

Banka Silvergate, viktima e radhës e kriptove

Vitin e shkuar, kur kompania e kriptove FTX falimentoi u duk sikur erdhi fundi i kriptomonedhave. Mbikëqyrësit kritikonin mungesën e rregullatoreve; hakerat po futeshin edhe më thellë në universin  e financave të decentralizuara. Asgjë nga këto nuk ka ndryshuar në 2023-shin. Më 8 mars, Silvergate Capital, një bankë që punonte me firmat e kriptove, si FTX, shkoi në likujdim. Depozituesit tërhoqën 8 mld dollarë në janar. Por reagimi i tregtarëve të kriptove ishte heshtja.

Vlera e Bitcoin, aseti më i madh digjital në botë, pothuajse nuk lëvizi fare pas lajmit. Madje deri më tani, ka qenë vit i mirë për to. Bitcoin është rritur me 30% që nga 1 janari, bashkë me disa kriptomonedha të tjera.

Si shpjegohet kjo rritje e pazakontë?

Ka disa shkaqe. Kriptomonedhat mund të jenë " delja e zezë" e aseteve, por ata ndjekin disa principe të tregut. Në fund të 2021-shit, investitorët prisnin një rritje të lehtë të normës bazë në SHBA. Por me rritjen e inflacionit, u rrit dhe kosto e huasë. Kjo ndikoi në një rënie të fortë të aseteve, nga Bitcoin tek titujt. Në fillim të 20230-shit, përsëri me norma të larta, investitorët rizbuluan oreksin e tyre për rreziqe.

Faktorë të tjerë ndihmuan në mënyrë specifike asetet e kriptove. Katastrofat si kolapsi i FTX shkaktuan rënien e çmimeve në vitin 2022. Por ato mund të kenë pasoja të dobishme për kriptomonedhat në terma afatgjatë. Mundësia që rregullimi të bëhet më i kujdesshëm mund t'i bëjë asetet digjitale më pak të ndjeshme ndaj paqëndrueshmërisë që ka përfshirë industrinë, dhe për këtë arsye më tërheqëse për investitorët që dëshirojnë parashikueshmërinë dhe stabilitetin.

Disa krerë të kriptove argumentojnë se ciklet afatgjata të çmimeve të Bitcoin do të përmirësohen këtë vit. Ata kanë vërejtur se çmimet për Bitcoin duket se lëvizin në një cikël katërvjeçar. Lëvizja e fundit filloi në fund të vitit 2018 dhe duket se ka përfunduar në fund të vitit të kaluar. Kjo teori do të parashikonte një rikuperim të çmimeve këtë vit. Besëtytni të tilla investimi nuk mbështeten në asnjë bazë. Por, nëse mjaft kriptofilë i konsiderojnë ato të vërteta dhe veprojnë në përputhje me rrethanat, atëherë këto lloj ciklesh mund të kenë një ndikim.

Megjithatë, ka ende  shumë pasiguri. Inflacioni mbetet kokëfortë dhe çdo parashikim për një fund të afërt të shtrëngimit monetar në Amerikë ka filluar të duket naiv. Më 7 mars, Jerome Poëell, kryetari i Rezervës Federale, la të kuptohet se rritje të mëtejshme të normave mund të jenë të nevojshme, duke shkaktuar një rënie në tregje.

Dhe çmimet e aseteve kryesore digjitale kohët e fundit kanë filluar të bien përsëri, pasi investitorët parashikuan rënien e Silvergate. Një krahasim nga viti në vit jep një pamje më të zymtë: Bitcoin, për shembull, është ulur me 49% dhe Ether me 44%. Kriptomonedhat mund ta ketë nisur vitin me një këmbë të fortë – por duke pasur parasysh se sa e paqëndrueshme mund të jetë ajo, nuk ka asnjë garanci që optimizmi do të zgjasë.

Burimi:The Economist/Përshtati: Gazeta 'SI'


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë