Biznes

Balluku: 1.3 mld euro investime private në energjitë e rinovueshme në 2022-shin. Bursa nis në fund të marsit

Nga Gazeta ‘SI’ - Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tregoi gjatë konferencës së ditës së sotme (10 mars) se investimet private në fushën e energjisë kanë kapur shifrën e 1.3 mld eurove në një vit.

Në konferencën dedikuar energjisë, Balluku tha se nga 2022-shi deri më tani janë aprovuar projekte deri në 300 megavatorë prodhim energjie dhe po trajtohen 55 aplikime të tjera, për një total në 1.7 gigavat energji.

Balluku i bëri thirrje investitorëve privatë të mos fokusohen vetëm tek investimet në energjinë fotovoltaike, por edhe tek ato eolike apo të hidrogjenit.

“Ne do të kryejmë ankandin e parë eolik-hibrid në maj, ku kanë konkurruar 16 kompani të huaja nga të cilat 6 janë kualifikuar”, -tha ministrja duke shtuar se fundi i marsit do të jetë data e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX.

Ajo shtoi dhe se shumë shpejt do të shkojë në parlament projektligji për burimet e rinovueshme të energjisë dhe se do të rishikohet e qartësohet ligji i tokave bujqësore që nuk mund të preken nga asnjë projekt i energjisë.

Ajo rikujtoi se këtë vit Shqipëria mban një rol të rëndësishëm në sektorin energjetik edhe për ndërkombëtarët.

“Gjithashtu ky është një vit i shënuar pasi unë duhet të them që marsi është muaji kur ne do të kthejmë operative dhe do të jetë tashmë një e re e shumëpritur, Bursën Energjetike Shqiptare. E kemi deklaruar disa herë si kohë dorëzimi, por gjithmonë ka pasur problematika pasi ne nuk punojmë vetëm, punojmë me partnerë dhe partnerët padyshim ndikohen nga krizat, nga problematikat dhe gjithçka tjetër, kështu që na është dashur ta shtyjmë disa herë afatin e dorëzimit , por të gjitha palët tashmë deklarojmë se fundi i Marsit do të jetë data e shumëpritur e aktivizimit të Bursës Energjetike Shqiptare, ALPEX, e cila padyshim do të garantojë transparencë, konkurrencë dhe përdorim efikas të kapaciteteve, sidomos sot më shumë se kurrë kur sektori privat po investon fuqishëm në kapacitetet fotovoltaike” tha Balluku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë