Futboll

Ballkani me stof europian, fitore e thellë dhe spektakël në ‘Fadil Vokrri’

Gazeta Si – Ballkani ka dhuruar sërish emocione në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, këtë herë në Ligën e Konferencës. Kampionët e Kosovës kanë mundur 3-0 irlandezo-veriorët e Larne, duke siguruar thuajse që në ndeshjen e parë kualifikimin në turin e tretë.

Rrahmani shenon me penallti golin e pare per Ballkanin. Gazeta Si, 25 korrik 2023

Një fitore e thellë, por mbi të gjitha një lojë e bukur dhe me ritëm nga skuadra e Ilir Dajës, që ka treguar se e ka vërtet stofin europian. Tifozët e pranishëm në stadium, pavarësisht temperaturave të larta, kanë shijuar lojën spektakolare të skuadrës kampione.

Rrahmani shënoi golin e parë në mesin e pjesës së parë, pas një penalltie të fituar nga Gripshi. Kryeziu dyfishoi shifrat pak minuta më pas me një aksion model nga Ballkani, që shkoi i qetë në pushimin e ndeshjes.

Nazmi Gripshi do të shënonte edhe golin e 3-të në pjesën e dytë të ndeshjes. Dominimi i skuadrës nga Suhareka ishte absolut dhe kalimin në turin tjetër duket formalitet. Ballkani luajti sot pa kapitenin Kuç, i cili nuk ishte në gjendjen e duhur shëndetësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë