Politike

Balliu: Rilindja e mbron me kodin Omerta të mafias Agim Kajmakun

Partia Demokratike, nëpërmjet ish-deputetit Klevis Balliu, hedh sërish akuza për rastin e Agim Kajmakut. Balliu në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh se Rilindja e mbron me kodin Omerta të mafias Agim Kajmakun, sepse një organizatë mafioze kodin e heshtjes e ka themelin e funksionimit të saj.
“Organizata kriminale e Rilindjes po zbaton kodin mafioz të heshtjes, Omerta, për të mbrojtur të arratisurin nga drejtësia greke, Jorgo Toto, të cilin të konvertuar në Agim Kajmaku, shefi i organizatës Edi Rama ia ka servirur Vorës për kryetar bashkie.
Kryeministri i të inkriminuarve nuk guxon të thotë asnjë fjalë! Provat e publikuara nga Partia Demokratike nuk mundet ti kundërshtojë dhe as ti mohojë dot.
Edi Rama flet për gjithçka, por nuk guxon të thotë asnjë fjalë për Jorgo Kajmakun.
Kyç gojën sepse ai e di se ‘Gimi është njësoj si ai’”, shprehet Balliu.
Ai deklaron se Jorgo Toto mbrohet nga Edi Rama sepse ai është simboli i modelit kriminal me të cilin qeveris Shqipërinë prej 6 vitesh.
“Edi Rama nuk thotë dot asnjë fjalë, se nga shporta e tij kriminale u servir shqiptarëve vetëm Elvisë, Vangjushë, Saimirë, Arbenë, Damianë, Valdrinë dhe Kajmakë.
Jorgo Toto mbrohet nga kryeministri i ardhur në pushtet me krimin, sepse ai është simboli i modelit me të cilin qeveris Shqipërinë prej 6 vitesh”, shprehet ndër të tjera ish-deputeti Balliu.
Sipas tij, me heshtjen Rama provoi se është ai mbrojtësi i Agim Kajmakut, së bashku me Katicat e tij në institucionet përgjegjëse.
“Omerta edhe Katicat e Ramës në prokurori, që njësoj si shefi i tyre në qeveri mbrojnë me “heshtjen” e institucionit të tyre të kërkuarin në Greqi.
Megjithëse provat tashmë i ka në dritë të diellit, Arta Marku e përfshirë nga ethet e konfirmimit, kërkon nga PD të dhënat që i ka në sistem.
Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg”, thotë ndër të tjera Balliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë