Politike

Balliu: Rama ka zgjedhur kodin e heshtjes për kryebashkiakët e inkriminuar

Partia Demokratike akuzon kryeministrin Edi Rama se është kthyer në mbrojtësin kryesor të kryebashkiakëve të inkriminuar dhe të kapur si subjekt i ligjit të Dekriminalizimit. Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu një reagim për mediat deklaroi se “Edi Rama është sot, mbrojtësi më i madh i trafikantëve të drogës, falsifikatorëve, banditëve, hajdutëve, vrasësve , narkomanëve që ka emëruar në pushtetin lokal. Ky është portreti i kryebashkiakëve të denoncuar prej Partisë Demokratike dhe medias me prova dhe fakte si shkelës të ligjit në një mënyrë apo në një tjetër, por asnjëri nuk është shkarkuar nga Edi Rama”.
Për Balliun ky është modeli që ka zgjedhur kryeministri dhe se misioni i opozitës është zhbërja e tij. “Shkatërrimi i krimit është shkatërrimi i Ramës. Ndaj sot Edi Rama ka zgjedhur kodin e heshtjes për çdo kryebashkiak të kapur nga dekriminalizimi. Heshtja dhe mosveprimi i Edi Ramës ndaj çdo denoncimi është një tjetër dëshmi që përzgjedhja e tyre është bërë për shkak të cilësive dhe lidhjeve të tyre me krimin. Edi Rama nuk mbajti asnjë përgjegjësi politike për Valdrin Pjetrin e Shkodrës apo Agim Kajmakun e Vorës, ndërkohë që vazhdojnë të jenë në krye të detyrës hajdutë si Mark Babani i Vaut të Dejës, i dënuari në Greqi Qerim Ismailaj. Pengje të krimit dhe korrupsionit, si Fatos Tushe i Lushnjës apo narkomanë si Lefter Alla i Bulqizës”, theksoi Balliu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë