Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, mbërriti në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dorëzuar prova të tjera lidhur me padinë e re ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha, deputetit demokrat Ervin Salianji dhe ish-kreut të policisë bashkiake, Florenc Hoxha.
Padia është për "Shpifje" dhe "kallëzim të rremë".
Në një prononcim të shkurtër, pasi ka dalë nga ambientet e Prokurorisë, Balla është shprehur se sot ka bërë të gjitha deklarimet e nevojshme për shpifjet që sipas tij, PD ka hedhur drejt tij.
“Dua t’ju them që në vijim të përpjekjes për të zbardhur morinë e shpifjeve, isha këtu, te Prokuroria e Krimeve të Rënda, për të dhënë deklarimet e domosdoshme që sqarojnë të gjitha shpifjet e hedhura drejt personit tim. Thashë te Prokurori se Alizotin s’e kam takuar asnjëherë dhe se ky njeri s’ka pasur asnjëherë kontakt as verbalisht me mua. Dua të shpjegoj se unë kam bërë një kallëzim penal për kallëzim të rremë dhe shpifje të kryer në bashkëpunim, për Lulzim Bashën, Ervin Salianjin dhe Florenc Hoxhën. Besoj se kallëzimi im do t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës, sepse klasifikohet si vepër më e lehtë dhe hetohen nga Prokuroria e Tiranës”, është shprehur Balla.
Padia e Ballës vjen pas videos "Babale 2", ku shfaqet shtetasi Fredi Alizoti, të cilin e intervistoi Florenc Hoxha dhe e publikoi deputeti Ervin Salianji.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.