Lajme

Balla thirrje PD e LSI: Që nesër Kuvendi për Kodin Zgjedhor

Duke qenë se nesër është paralajmëruar një protestë e disa emigrantëve para Kryeministrisë, vjen një reagim nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Balla në një prononcim të shkurtër për mediat tha se nëse do ishin ftuar në këtë protestë, do të merrte pjesë. Mes të tjerash, ai tha se Shqipëria i ka një borxh të madh prej 28 vitesh diasporës, pasi kjo e fundit ka kontribuar në ekonomi.
“Nëse do ishim ftuar, edhe ne do ishim pjesë e protestës së diasporës. E dimë që Shqipëria i ka një borxh gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe në këto vite janë kontributor i ekonomisë së vendit. Për PS e drejta e votës që jetojnë jashtë territorit ka qenë kushti i vetëm që i kemi kërkuar palës tjetër dhe e kemi bërë edhe këtë kur kemi qenë në opozitë, për të përfshirë në kodin e ri zgjedhor votën e shqiptarëve.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla i bën thirrje opozitës për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit. Ai tha se shumica është gati për mbledhjen e Kuvendit që ditën e nesërme nëse opozita është e gatshme.
“Për PS-në e drejta e votës për qytetarët që jetojnë jashtë vendit, mbetet kushti i vetëm për të përfshirë në Kodin e Ri zgjedhor votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Edhe në thirrjen e fundit që bëra në dy seancat e fundit të Kuvendit, është që të mblidhemi dhe të votojmë me opozitën Kodin e Ri Zgjedhor. Një Kod Zgjedhor që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR. Jemi gati që nesër, pavarësisht se jemi në prag të festave. Të mos presim 21 janarin kur është seanca e parë e sesionit të ri, që të miratojmë Kodin e Ri Zgjedhor. Ta miratojmë që nesër”, u shpreh Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë