Lajme

Balla thirrje Bashës: Tërhiq urdhrin, mos turpëro vendin tënd

Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të grupit parlamentar socialist nga delegacioni shqiptar në Parlamentin Europian. Mësohet se kjo kërkesë e opozitës është paraqitur sot edhe në Parlamentin Europian ku do zhvillohej takimi i radhës i delegacionit shqiptar me ata europianë.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje liderit të PD, Lulzim Basha, që të “mos shkaktojë rrëmujë me deputetët e vet në Parlamentin Europian.

Balla gjithashtu i kërkon Bashës “mos të turpërojë vendin ‘me anonime’”.

“Lulzim! Tërhiqe urdhrin për rrëmujë që u ke dhënë deputetëve të tu në delegacionin e Shqipërisë sot në Parlamentin Europian??. Mos e turpëro vendin tënd edhe hapur se pas kuintave “me anonime” e bën përditë. Të presim të dy me qetësi vendimet e gjykatës dhe Prokurorisë!”, shkruan Balla në “Twitter”.

Opozita e akuzon kryetarin e grupit parlamentar socialist Taulant Balla se shoqërohet trafikantë të drogës dhe krimit të organizuar. Me anë të një letre drejtuar kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi anëtarët e opozitës argumentojnë se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në bisedimet me Brukselin në mbledhjen e 15 tetorit me një politikan që sipas PD, “ka pranuar publikisht se ka mik familjar një të dënuar të rrezikshëm për trafik ndërkombëtar droge, pasuria e të cilit është shumëfishuar pas miqësisë me Taulant Ballën”.

Opozita e akuzon Ballën edhe se ka kërcënuar me pistoletë në kokë një oficer policie, që ai të mbyllte çështjen e përdhunimit të djalit të një deputeti tjetër socialist, akuza këto për të cilat Balla ka ngritur një padi në Gjykatën e Tiranës kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Letra mban firmat e deputetëve: Genc Pollo, Albana Vokshi, Klajda Gjosha, Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë