Lajme

Balla pas Kryesisë: Në fokus Asambleja dhe zgjedhjet vendore

Menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PS, që u zhvillua në Pallatin e Kongreseve nën drejtimin e kryeministrit Rama, ka dalë në një prononcim të shkurtër për mediat kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

Ai tha se të premten do të mblidhet Asambleja Kombëtare si dhe dha detaje të tjera nga diskutimi i sotëm.

“U miratuan çështjet për të cilat do mblidhet Asamblea Kombëtare , për punën që është bërë deri tani për Shqipërinë që duam. Është shumë e rëndësishme që krah përfundimit të procesit të llogaridhënies të fillojmë prej sot një fushatë kombëtare të anëtarësimeve të reja në PS me qëllim që të bëjmë një organizim më të mirë strukturor dhe elektoral në përgatitje të zgjedhjeve vendore. Përkrah kësaj do të jemi të fokusuar në një proces më të hollësishëm komunikimi dhe dëgjesash ku përfaqësuesit vendorë të PS në nivel kryetarë bashkish apo anëtarë këshillash bashkiakë do të rikthehen sipas kësaj fushate në çdo cep, çdo komunitet dhe fshat për të mbajtur shënim”, u shpreh Balla.

Po ashtu, Kryesia e Partisë Socialiste miratoi grupin strategjik për zgjedhjet vendore të 2019 të kryesuar nga Blerina Gjylameti,  e cila do të jetë edhe sekretare për organizimin e elektoral dhe drejtuese politike e Tiranës.

Anëtarët e grupit strategjik për zgjedhjet do të jenë Damian Gjiknuri, Ditmir Bushati, Bledi Çuçi, Erion Veliaj, Gramoz Ruçi dhe Taulant Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë