Lajme

Balla: Krenar që do të votojmë shfarosjen e basteve

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste ditën e sotme përfundoi me propozimin për shkarkim të 11 kryetarëve të degëve në rrethe, për mospërmbushje detyrash e objektivash, neglizhencë dhe shthurje në ato degë bashkiake ku drejton opozita.

Në një prononcim të shkurtër për mediat, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla për shkarkimet u shpreh se “janë çështje të brendshme të organizimit tonë”.

Ai kërkoi nga mediat që të përqendrohen më shumë te mbyllja e pikave të basteve.

“Unë jam krenar që pasnesër në Kuvend votohet shfarosja pranë shkollave dhe dyqaneve të bukës të një mortjeje siç kanë qenë pikat e basteve. Ftoj edhe mediat që të solidarizohen me këtë nismë”, u shpreh Balla.

Pas miratimit në Kuvend ditën e enjte ashtu siç është planifikuar, ligji do të nisë zbatimin më 1 janar të 2019-ës ku do të mbyllen të gjitha pikat e basteve dhe kazinove.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë