Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, doli sot në një konferencë të përbashkët me dy deputetë të Bundestagut, por është pyetur edhe për biznesmenin që u arrestua dje në Greqi, Edmond Bego.
I gjendur përballë akuzave të opozitës se është ortaku i tij në biznes, Balla sqaroi sot çdo detaj për lidhjet me të. Ai u shpreh se e njeh familjarisht, por nuk i është ofruar mburojë politike. Në fund madje i sfidoi demokratët që t’i drejtoheshin Prokurorisë për të gjitha akuzat e artikuluara në media.
“Lidhur me akuzat e gojëtarëve të PD do i përgjigjesha vetëm njërës. A ka qenë sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person, apo ka siguruar mburojë politike? Për ne dhe për mua personalisht sundimi i ligjit është dhe duhet të jetë i njëjte për të gjithë. Personin në fjalë e njoh, njoh bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij, nxënës shembullorë.
Ju them me garanci të plotë se kurrë nuk i është ofruar një mburojë e tillë politike dhe përgjigjen më të mirë e ka dhënë dje policia e shtetit. Ky skenar është thjesht një pjesë e Babales 3. Personi nuk ka qenë në kërkim. Pas verifikimit që zgjat 40 ditë, do të shohim nëse personi ka pasur ndonjëherë nevojë për mburojë politike.
I njëjti person nuk mund të kryejë të njëjtin dënim për një vepër që e ka kryer 10 vjet më parë. Nëse PD ka dyshime, të shkojë në prokurori të bëjë kallëzim penal. E sfidoj PD-në që të çojë çështjen në prokurori”, u shpreh Balla.
Një ditë më parë deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj tha se Taulant Ballën nuk do ta shpëtojë dot heshtja. Alibeaj tha se Balla duhet t’u përgjigjet shqiptarëve dhe se drejtësia vonon, por nuk harron.
“Çfarë e lidh me trafikantin e drogës, të shndërruar në biznesmen të fuqishëm këto dy vitet e fundit? Sa herë ka komunikuar me Edmond Begën në këtë numër telefoni 0682049189? A është Taulant Balla sekser për miliona euro punë publike të marra nga kompania e ndërtimit të narkotrafikantit biznesmen?”, përfundoi Alibeaj.
Po dje, deputeti Taulant Balla, ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike, duke pranuar se ai dhe Edmond Bego janë partnerë në biznes.
Akuzave se çfarë e lidh me trafikantin e drogës, u është përgjigjur me një ftesë në Gjykatë, ku sipas tij do të marrin përgjigje për të gjitha pyetjet.
“Partia Babalokratike filloi sot teatrin komik ‘Babale 3’. Madje dy zëvendësat e Bashës bënë dhe prezantimin e skenarit. Meqenëse më drejtuan mua pyetje dy, unë do pres që betejën ta bëj përsëri me Kryebabalen Basha. Ngrini akuza, lërini pyetjet! Duhen për në Gjykatë përsëri. Le të na gjykojë në fund publiku. Siç do na gjykojë në Shtator për ‘Babale 1’”, është shprehur Balla.
Pas reagimit të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla mbi kapjen e Edmond Begos, kanë vazhduar replikat nga ana e PD-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.