Lajme

Balla: Dy opsionet e PS për datën e zgjedhjeve lokale 2019

Pak pas përfundimit të takimit konsultativ me presidentin e Republikës, Ilir Meta, lidhur me datën e zgjedhjeve vendore të 2019-ës, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka falënderuar Metën për vijimin  e kësaj tradite konsultimi si dhe ka zbuluar dy opsione se kur mund të mbahen ato.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se si opsion mund të jenë dy të dielat e fundit të qershorit, që janë 23 dhe 30 qershor.

“Duke falënderuar Presidentin e Republikës për vijimësinë e një tradite shumëvjeçare për dekretimin e datës së zgjedhjeve, zhvilluam një bisedë me presidentin Meta. Kodi Zgjedhor është i qartë për përcaktimin që në sezonin zgjedhor prill-maj-qershor, është cituar, 2 të dielat e fundit të qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Ka pasur nga operatorët turistikë një datë më të hershme nga fundi i qershorit, por kjo është një çështje, që arrihet me dakordësi. S’kemi biseduar me opozitën”, është shprehur Balla.

Pas Ballës, pritet që Meta të zhvillojë konsultime edhe me përfaqësuesit e dy partive opozitare PD dhe LSI, Edmond Spahon dhe Petrit Vasilin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë