Futboll

Bajerni shkarkon trajnerin Niko Kovaç

Rrugët e Bajernit të Mynihut dhe trajnerit kroat Niko Kovaç tashmë janë ndarë zyrtarisht. Kampionët e Gjermanisë kanë bërë të ditur nëpërmjet kanaleve zyrtare të klubit shkarkimin e trajnerit një ditë pas humbjes së thellë, 5-1, në fushën e Eintrahtit të Frankfurtit. Pozitat e trajnerit Kovaç ishin të lëkundura prej kohësh.

Këtë sezon bavarezët e nisën mirë në Champions, por shumë keq në kampionat, ku aktualisht janë 4 pikë larg vendit të parë, që mbahet nga Borusia Mënshegladbah. Bajerni humbi edhe Superkupën ndaj Borusia Dortmundit dhe në këtë moment është marrë vendimi i shkarkimit pas diskutimeve të shumta mes Rumeniges, drejtorit sportiv Salihamixhiç, presidentit Hënes dhe trajnerit kroat.

https://twitter.com/FCBayernEN/status/1191081788086591489
Njoftimi zyrtar i Bajernit në Tuiter për shkarkimin e Kovaç

Rumenige, me një deklaratë, e ka falënderuar trajnerin Kovaç për trofetë e fituar në krye të Bajernit, veçanërisht për “dopion” e sezonit të shkuar. Në sezonin 2018-2019, Bajerni arriti të fitonte përveç Superkupës së Gjermanisë, Bundesligën dhe Kupën. Ende nuk ka emra kandidatësh për pasuesin e Kovaç në stolin bavarez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë