Futboll

Bajerni kërkon ulje për Perisiç, Vidal refuzon Kinën për Interin

Me futbollin të ndalur prej më shumë se një muaji, e vetmja gjë që drejtuesit e klubeve mund të bëjnë lidhet me lëvizjet në merkaton e ardhshme. Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, drejtuesit e Bajern Mynih kanë në plan të blejnë përfundimisht Ivan Perisiç nga Interi.

Kroati është në huazim në Gjermani. Ai ka një kontratë me Interin deri në vitin 2022, por duket se i ka bindur bavarezët, të cilët po përgatisin strategjinë për të blerë. Në situatën aktuale ata kërkojnë një ulje të çmimit të lojtarit nga Interi deri në 15 milionë euro. Një strategji kjo e ndikuar edhe nga emergjenca ekonomike për shkak të koronavirusit. Klubi italian pretendon që ta shesë 20 milionë euro sulmuesin kroat dhe mbetet për t’u parë, nëse do të ketë një akord apo jo mes palëve.

Ivan Perisiç me fanellën e Bajernit. Gazeta Si, 10 prill 2020

Lajme të mira për Interin vijnë nga Arturo Vidal. Mesfushori i Barcelonës, i kërkuar nga trajneri Antonio Konte, ka refuzuar së fundi një ofertë afatgjatë dhe mjaft të mirë financiarisht nga Kina. Vidal preferon ende të luajë në futbollin që ka peshë. “Fox Sports” bën me dije se kiliani i ka thënë “jo“ Kinës, pasi pret Interin. Barcelona kërkon 10-15 milionë euro për mesfushorin me përvojë dhe zikaltrit mund t’i paguajnë pasi të shesin Ivan Perisiç te Bajern Mynih.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë