Ylli gërmon mes rrënojave. Është kthyer në vendin ku deri në datën 26 nëntor kishte shtëpinë e tij. Tashmë aty ka mbetur një mal me gurë, bolierë, çanta të flakura, rroba…
Ylli kërkon me lotë në sy. "Kërkoj të gjej sende që janë kujtime për familjen…fotografi. Kërkoj diplomat e dy vajzave".
Burri iu lut policëve ta lejonin, qoftë sikur të gjente edhe një foto famijare. "Nuk dua as lekë, asgjë, veç dokumentat, fotografitë, pasaportat". Është bërë i gjithi gjithë pluhur gurësh. Ka dhimbje në gjymtyrë.
“Gruaja u plagos nga tërmeti, unë dhe vajzat me lëndime të lehta. Deshi Zoti! Na deshi Zoti", pëshperit Ylli.
Ai më në fund dallon një çantë që i ngjan se është e bashkëshortes. "Do ta marr. Dua të kemi diçka nga shtëpia e familjes", thotë dhe ulur mbi rrënojat e pallatit të shembur, nuk përmbahet, por qan.
Pallati që u shemb ishte ndërtesë e ngritur para viteve ‘90. Një nga banorët tregon për gazetën “Si” se "masakra nisi kur prenë kollonat dhe e kthyen katin e parë në lokal" . “U ankuam, por nuk na dëgjoi askush”, tregon Qemali, i cili tund kokën mosbesues për deklaratën e prokurorisë se ka nisur hetimet për tërmetin.
Qemali shton: "Ashtu qoftë, por nuk ka fare nevojë për hetime për pallatin këtu. Është flagrante! Ata që prekën strukturën dhe hoqën kollonat kanë kryer një krim. U desh tërmeti që çdo gjë të shembej dhe dy veta të vdisnin”.
Në këtë pallat në krye të rrugës qëndrojnë fotografitë e dy grave që banonin aty, të dyja të vdekura. Nafije Rexhepi, që vdiq nën rrënoja, e moshës 74 vjeçe dhe Zhuljeta Gjana, 60 vjeçe. Të tjerët, sikurse Ylli, janë strehuar pranë të afërmëve, ndërsa familjarët e Qemalit për shkak të panikut janë larguar në Itali.
…Dita në qytetin e Durrësit nuk është më e njëjta. Njerëzit mbajnë batanije në makinë dhe një çantë gati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.