Lajme

Dëshmia e Fredi Alizotit: Gati të bashkëpunoj me drejtësinë

Prokuroria e Krimeve të Rënda mori sot në pyetje Fredi Alizotin. Kjo thirrje e dytë lidhet me videon tjetër të publikuar nga PD, ku Alizoti akuzon drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliun dhe madje kreun e grupit të PS-së, Taulant Balla, që sipas tij, kryepolici e shoqëroi me makinë pranë organit të akuzës për të dhënë llogari për audiopërgjimin ‘Babale’, duke kërcënuar që të tërhiqet.

Videoja në fjalë është publikuar nga ana e deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i cili gjithashtu po hetohet për ‘kallëzim të rremë’ nga ana e prokurorisë. Ajo është filmuar nga një kamera e fshehtë në syzet e bashkëbiseduesit.

Por një kërcënim i tillë që pretendohet nga Alizoti është hedhur poshtë nga drejtorit i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu.

Alizoti akuzohet për imitimin e zërit të Agron Xhafajt, të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në audiopërgjimin e publikuar nga PD-ja. Sipas prokurorisë kjo u bë për shkak të pagesës prej 100 mijë euro të ofruar nga Babalja ndaj këtij shtetasi.

Avokati i mbrojtës i Alizotit, Ilir Doda, pas marrjes së kësaj dëshmisë nga ana e prokurorisë së Krimeve të Rënda, deklaroi se klienti i tij do të pyetet për të dy videot dhe se ai është gatshëm që të bashkëpunojë me drejtësinë.

Avokati i Fredi Alizotit ka apeluar këtë të enjte masën arrest me burg, dhënë nga Gjykata për Krimet e Rënda për klientin e tij.

“Nuk kërkojmë lirimin, por caktimin e një mase më të lehtë sigurimi personal. Kriteret janë ato që thashë seancën e kaluar që Gjykata e Shkallës së Parë nuk i mori parasysh dhe që shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i marrë parasysh”, deklaroi avokati.

Ai u shpreh i rezervuar, pasi çështja është pjesë e sekretit hetimor. “Kjo mbetet në kuadër të hetimit siç e thashë është sekret hetimor. Klienti im do të pyetet për të gjithë ngjarjen, nga fillimi deri në fund. Do të thotë të vërtetat e tij dhe do hetohet për të dalë e vërteta. Klienti im ka bërë disa deklarata, do bëjë deklarata të tjera, do thojë të gjithë të vërtetën e tij në funksion të drejtësisë”, tha avokati Doda.

Se cilit variant i ka qëndruar Alizoti, imitimit të zërit  kundrejt pagesës, apo asaj të dalë nga videoja e dytë e kërcënimit, kjo mbetet “enigmë”, pasi është pjesë e sekretit hetimor.

“Këtë do ta marrim vesh shumë shpejt. Unë kam informacion, por siç thashë është në kuadër të hetimit sekretit hetimor dhe dëmton hetimin nëse kemi shprehje paraprake të personave nën hetim”, theksoi avokati i Alizotit.

Për videon e dytë të publikuar nga ana e PD-së, ku Alizoti shprehet se ka pasur presion nga drejtori i Policisë së Përgjithshme, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ai deklaroi se kjo çështje i përket drejtësisë shqiptare. “Nuk do të preferoja të bëja një koment për këtë çështje, se boll kam bërë komente për këtë, edhe për një arsye fare të thjeshtë që kjo është një çështje që i takon drejtësisë. Unë besoj se kam kulturën e nevojshme, politike, institucionale dhe ligjore që të respektoj në çdo rast autoritetet e drejtësisë dhe vendimmarrjet e tyre.  Për sa i përket çështjes që është duke u përfolur kaq gjatë dhe që është bërë temë dite, është një çështje që besoj që është në një hetim të plotë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. U takon atyre dhe më pas gjykatës që të japin verdiktin rreth kësaj çështjeje. Për sa më përket mua, dua të them se unë jam Ministër i Brendshëm, jam në këtë detyrë vetëm me një qëllim, t’u shërbej qytetarëve të vendit tim. Jam i fokusuar në përgjegjësitë e mia, jam i fokusuar në atë që është tejet e rëndësishme, në luftën kundër krimit të organizuar në veçanti. Dhe në këtë proces kam përzgjedhur, besoj instrumentet e nevojshëm, një ndër të cilët është edhe operacioni “Forca e Ligjit” dhe Task Forca”, deklaroi ministri i Brendshëm..

Ministri Xhafaj dhe zyrtari gjerman para mediave

Xhafaj gjithashtu deklaroi se opozita ka zgjedhur rrugën e baltosjes së policisë së shtetit, duke bashkëpunuar me llumin e këtij vendi.

“Besoj se kam përzgjedhur edhe partnerët e duhur, ndër të cilët padyshim edhe shumë të rëndësishëm për ne në këtë partneritet janë partnerët gjerman me të cilët jemi sot këtu. Pala tjetër ka zgjedhur një rrugë tjetër që është rruga që t’i dali në krahë krimit me faktin duke sulmuar Policinë. Me faktin duke sulmuar operacionet që strukturat janë angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe kanë zgjedhur instrumente sipas meje të gabuar për ta baltosur të gjithë këtë punë dhe për fat të keq kanë zgjedhur dhe partnerë të gabuar, kanë zgjedhur llumin e këtij vendi”, theksoi Xhafaj, pas takimit që pati me takimit me zv/ presidentin e Policisë Kriminale të Gjermanisë, Henzler.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë