Lajme

“Babalja”, Ardi Veliu te Krimet e Rënda: S’e njoh Alizotin

Pas dëshmisë në video të Fredi Alizotit, se ai ishte çuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me makinë nga drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, ky i fundit është marrë sot në pyetje.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, u paraqit ditën e sotme rreth orës 13.00 në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku u mor në pyetje lidhur me dosjen “Babale”.

Nga burimet mësohet se Ardi Veliu ka mohuar akuzat e Alizotit dhe ka mohuar njohjen me të. 

“Nuk kam asnjë njohje dhe kontakte me Fredi Alizotin, nuk e kam takuar asnjëherë. Nuk e di se përse më akuzon, gjithçka që ka thënë nuk është e vërtetë”, është shprehur Ardi Veliu.

Pas daljes nga Krimet e Rënda, Veliu nuk është prononcuar për mediat. Ndërkohë, ditën e nesërme do të merret në pyetje nga prokuroria Florenc Hoxha.

Në videon e dytë Alizoti pretendon se është marrë në makinë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe i është bërë presion për të dhënë në Prokurori dëshmi të rremë lidhur me çështjen “Babale”.

Gjithashtu, ai pretendon se është takuar edhe nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili i ka premtuar para për të ndryshuar versionin e ngjarjes.

Por, si Ardi Veliu ashtu edhe deputeti socialist, Taulant Balla, mohojnë akuzat e Fredi Alizotit. Ndërkohë që Florenc Hoxha do të merret në pyetje, pasi është personi që ka intervistuar kunatit e Babales.

Kujtojmë se pas publikimit të videos në fjalë, Policia e Shtetit mohoi se Veliu ka kontaktuar apo është shoqëruar me personin në fjalë duke e quajtur videon fund e krye të pavërtetë. Për më tepër policia tha se mund të verifikohej lehtë se Drejtori i Përgjithshëm në ditën që shtetasi Alizoti u shoqërua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka qenë me angazhime të tjera. Veliu mohoi totalisht përfshirjen në veprime procedurale në lidhje me hetimin e çështjes të ashtunjohur publikisht si çështja “Babale”.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë