Lajme

“Babai im”… audiodrama në kohët e Covid

Pikërisht në ditët e izolimit masiv kur shumë veprimtari ndaluan, nisi puna për realizimin e të parës audiodramë në Shqipëri. Ishte koha e duhur për të formatuar projekte digjitale, për të sjellë përmes teknologjisë artin që s’vinte dot më në skenën e teatrit.

 Motorët u ndezën për të krijuar në distancë ekipin e aktorëve. Regjistrimet u bënë duke respektuar gjithë rregullat e masat e sigurisë… aq sa shpeshherë gjithçka dukej si një aksion lufte.

 Regjisori Valdrin Hasani na tregon gjithë këtë rrugëtim, si një eksperiencë e parë, që kishte shumë adrenalinë por dhe pak vështirësi, pasi në një audiodramë ndryshe nga një teatër skenik, duhet të sjellësh gjithçka tek dëgjuesi nëpërmjet tingullit i cili duhet të veprojë edhe kur është i heshtur...

Regjisori Valdrin Hasani

 “Babai im” tashmë është në transmetim, këtë të premte do të hidhet tek Gazetasi.al episodi i 5-të, ku siç e shpjegon Hasani, konflikti i brendshëm i personazhit kryesor, Elonës, do të bëhet edhe më i fortë. Sepse është para dilemës së shembjes apo jo të idhullit, babait të saj.

 Audiodrama është një zhanër i ri e sigurisht edhe për ju si regjisor është eksperiencë e parë. Si ishte të punoje regjinë e një audiodrame?

 Desha ta filloj nga impakti i parë që më dha skenari, i cili ishte jashtëzakonisht i mirë. Të ngjallte pikërisht atë dëshirën e brendshme për të ndezur motorin e krijimtarisë. Natyrisht që eksperienca e parë ka vështirësitë, të panjohurat e veta, por nga ana tjetër të stimulon guximin, gjë që është shumë i rëndësishëm në profesionin tonë, që gjithmonë të përball me sfida të reja, siç ishte kjo e fundit, krejt ndryshe nga regjia e teatrit skenik, me të cilën kam eksperienca. Ishte kohe izolimi prej Covid – 19.

Si arritët të krijonit kastin e duhur për këtë audiodramë. Si u punua me aktorët?

Të qenurit në izolim prej Covid -19 e vështirësonte situatën sa pothuajse në disa momente dukej sikur do ta bënte të pamundur realizimin e audiodrames. Por kjo ishte sfida. Me aktorët që domosdoshmërish duhej të punohej në studio, qe e pamundur regjistrimi i dialogëve përballë njëri-tjetrit, por në mënyrë individuale askush nuk hezitoi për të interpretuar përballë mikrofonit, në një studio ku të bukoste era e alkoolit dhe dezinfektantëve. Sigurisht që teknologjia na ndihmoi shumë, jo vetëm për të komunikuar por bëri të mundur që disa prej aktorëve të mund t’i regjistronin e t’i dërgonin zërat nëpërmjet celularit.

Gjatë rregjistrimit në ambient të hapur

Ndryshe nga teatri në skenë, audiodrama punohet e gjitha në studio. Cilat janë sekretet e një drame që krijohet me efekte përveçse me lojën e aktorëve?

Me një eksperiencë të parë, është pak e vështirë të zbulosh sekretet, por për mua të bëje regjinë e një audiodrame nuk ishte e thjeshtë, pasi duhet të sjellësh gjithçka tek dëgjuesi nëpërmjet tingullit dhe tingulli vepron dhe kur është i heshtur... Aktori të jep interpretimin përballë mikrofonit, por më pas duhet mbajtur ritmi, duhet krijuar diagrama, bashkëngjitur atmosferës së duhur që krijohet nga efektet, muzika etj. Qëllim kryesor është që dëgjuesi kur të vendosë kufjet, të mbyllë sytë e të përfshihet plotësisht në atë që dëgjon, të marrë mesazhin nëpërmjet emocionit dhe jo vetëm thjeshtë të dëgjojë një histori.

Ju luani dhe rolin e një prej personazheve kryesore në këtë audiodramë, Andin.  Çfarë përfaqëson ai në gjithë këtë histori?

Për Andin do të thoja që është një personazh kompleks. Ka luhatje të theksuara të personalitetit. Në momente të caktuara duket i fortë, shpirtëror. Pastaj është krejt e kundërta. Të qenurit djali i një njeriu me para dhe pushtet, ka ndikuar në çorientimin e tij si njeri. Pasiguria që ka në vetvete e bën që në momente kritike të marrë vendime të gabuara. Për hir të karrierës së tij është gati dhe të bëj kompromise të pista, të fshehë e të bëhet pjesë e manipulimeve të fakteve që dalin, për të atin.

 Cila është pika më e fortë e “Babai im”, në këndvështrimin tuaj si regjisor?

Kjo audiodramë trajton në thelb abuzimin seksual ndaj grave. Dhe kur ky abuzim vjen nga njerëzit me pushtet dhe para, është e qartë se sa i vështirë bëhet denoncimi apo diskreditimi i tyre. Tek "Babai im" ky guxim merret nga gjysma e familjes. Është bashkëshortja që ka marrë nismën e para, për të bërë një gjë të tillë, e më pas vajza. Episod pas episodi konflikti jashtëm dhe i brendshëm i personazhit kryesor, Elonës bëhet edhe më i fortë.

Sa e mundur është të diskreditosh figurën e babait idhull, për më tepër pas vdekjes?! Një projekt i tillë a mendon se është një mundësi më shumë që ofrohet për ju aktorët e regjisorët e rinj?

Sigurisht që po. Të qenurit aktor apo regjisor nuk do të thotë që të instalohesh vetëm në planshetin e skenës apo kuadrin e kamerës… që edhe këto i mungojnë frikshëm të rinjve sot si mundësi. Një projekt i tillë digjital, që mundej të bëhej dhe në ditët më të tmerrshme të izolimit tonë masiv, kuptova se u mirëprit shumë si zhanër nga të gjithë aktorët e kësaj audiodrame, pra jo vetëm nga të rinjtë. Besoj se do ta pëlqejnë shumë dhe dëgjuesit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë