Njerez

Azilkërkuesit shqiptarë në nivele pothuajse të njëjta me ukrainasit. 960 persona ikën vetëm në maj

Nga Gazeta 'SI' - Gjatë muajit maj 2022, 960 shtetas shqiptarë kanë kërkuar azil në vendet e Europës, duke arritur shifrën e 4.810 azilkërkuesëve, për pesë mujorin e parë të vitit 2022.

Numri vazhdon të jetë i lartë, por në rënie nga muaji prill, kur numëroheshin 1.080 aplikime për azil nga shqiptarët. Por vihet re një diferencë shumë e vogël midis azilkërkuesëve nga Shqipëria dhe atyre nga Ukraina që janë në gjendje lufte, rreth 300 më shumë.  Azilkërkuesit nga Ukraina, kanë rënë me 14% nga muaji prill, por mbeten përsëri më të larta se para pushtimit rus.

Sipas Eurostat, Shqipëria vazhdon ende të jetë krah për krah me Eritrean, Republikën e Kongos dhe së fundmi edhe me Rusinë.

Gjatë muajit maj, në total, aplikimet për azil u rritën me 90% nga maji 2021, duke numëruar 63.105 të tilla. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Siria, 8.025 aplikime, Afganistani, 7.695, Venezuela 4.820.

Gjermania kryeson si vendi më i preferuar për refugjatët, me 13.855 kërkesa për azil vetëm në maj, ndjekur nga Spanja me 10.200. Shumica e azilkërkuesve ishin burra midis 18 dhe 34 vjeç, të cilët përbënin 40 % të numrit të përgjithshëm të aplikantëve për herë të parë.  2.635 azilkërkues, ishin minorenë të pashoqëruar. Në mesin e të miturve, shumica e fëmijëve ishin më pak se 14 vjeç me një përqindje të ngjashme djemsh dhe vajzash.

Azilkërkuesit nga Shqipëria janë kthyer në vëmendje të mediave botërore, sidomos atyre britanike, të cilat raportojnë se numri ditor i shqiptarëve që futen atje mund të arrijë në 700. (Eurostat nuk e përfshin Britaninë në statistikat e saj. )

"Nëse Shqipëria konsiderohet një destinacion i sigurt për mijëra britanikë pse shumë nga ata vijnë në Mbretëri për të kërkuar…siguri? Disa nga azilkërkuesit shqiptarë deklarojnë arsye si dhuna apo abuzim seksual, trafikim njerëzish, persekutim politik dhe 'probleme me kriminelët'", -ishte pyetja që ngriti gazetarja britanike Allison Pearson, pak ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë