Politike

Azemi bashkon Lulzim Bashën me Rudina Hajdarin

Ceremonia përkujtimore e Partisë Demokratike në memorialin e ngritur në vendin ku u vra Azem Hajdarit 21 vite më parë dhe tek varrezat "Dëshmorët e Kombit" bëri bashkë Lulzim Bashën me Rudina Hajdarin.

Ceremonia nisi pak pas orës 10:00 dhe të parët që mbërritën ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha, shoqëruar nga Sali Berisha dhe drejtues të tjerë të opozitës. Bashës dhe drejtuesve të tjerë të Partisë Demokratike iu bashkuan e Fatmira, Kiri, Rudina dhe Azemi, djali i vogël i Azem Hajdarit.

Familjarët e liderit të dhjetorit dhe drejtuesit e PD-së vendosën me radhë buqeta me lule në memorialin e ngritur pranë ish-selisë së Partisë Demokratike.

Më herët, kreu homazhe dhe vendosi një buqetë me lule te memoriali i Azem Hajdarit edhe Presidenti Ilir Meta.

“Sot ishte një detyrim për ta nisur ditën me nderimin e kujtimit të përjetshëm të Azem Hajdarit, të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore, që solli pluralizmin politik në Shqipëri, sepse 12 dhjetori 1990 është dita më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që ndan dy epoka dhe e rivendosi vendin tonë në rrugën e duhur të demokracisë, të lirisë dhe të drejtave të njeriut dhe kuptohet, të pluralizmit politik dhe zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë kolona vertebrore e çdo sistemi demokratik dhe që duhen mbrojtur nga të gjithë dhe me çdo çmim.” – u shpreh Presidenti i Republikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë