Pas hapit që 18 të dënuar në burgun e Burrelit ndërmorën për t’u futur në grevë urie për shkak të kushteve të këqija, vjen dhe reagimi nga Avokati i Popullit. Avokati i Popullit, përmes një njoftimi për shtyp, sqaron se ekipi i këtij institucioni ka arritur të sigurojë dëshminë e këtyre të dënuarve që po refuzojnë ushqimin. Shkaqet kryesore të këtij refuzimi përfshijnë kushtet e këqija të jetesës në këtë institucion të vuajtjes së dënimit, të cilat lidhen me infrastrukturën e vjetruar dhe të amortizuar të këtij burgu.
Institucioni i Avokatit të Popullit sjell në vëmendjen e publikut, por edhe të autoriteteve përgjegjëse, se prej të paktën tre vjetësh janë konstatuar kushtet e papërshtatshme të këtij institucioni e është kërkuar nga ana e institucionit tonë mbyllja e burgut të Burrelit për shkak të kushteve të tij vërtet të vështira dhe aspak të përshtatshme për kryerjen e funksioneve të veta në mënyrë dinjitoze. Avokati i Popullit nënvizon se ndonëse në disa prej institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale anembanë Republikës vërehen përpjekje për përmirësim të infrastrukturës dhe kushteve, zgjidhja tërësore dhe pa asnjë përjashtim e problemit të atyre burgjeve që ende nuk arrijnë të marrin “notë kaluese” për sa u përket kushteve që ofrojnë për qytetarët që kryejnëdënimet në to, mbetet një sfidë për autoritetet tona përgjegjëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.