Jete & Stil

Aventurierë dhe të pabindur. Cilët janë turistët më problematikë në Shqipëri?

Gazeta "Si"- Turistët që bllokohen tek “Syri i Ciklopit” apo që bien në humnerë në Theth, janë ngjarje që dëgjohen shpesh në vendin tonë. Janë turistë që duan të rrezikojnë shumë apo është vendi ynë që të ofron rrezikun?

Besnik Vathi, operator turistik thotë për Gazetasi.al se, Shqipëria nuk është vend ku çdo turist rrezikon. Është një vend i sigurt dhe ai që rrezikon është një turist që bën turizëm të rrezikshëm, turizëm me adrenalinë dhe rrezikon kudo që të shkojë sepse këtë do.

“Turistët që rrezikojnë janë turistë që edhe në shkretëtirë të jenë, do sprovojnë veten”, thotë Vathi.

Ai shton se rreziku nuk varet nga destinacioni, por nga turisti. Turistët që janë ‘outdoor’, turistët e natyrës, janë kryesisht çekë, polakë dhe izraelitë të cilët edhe e kanë hapur turizmin outdoor në vendin tonë. Këta kanë qenë të parët që u futën në Shqipëri për këtë lloj mundësie që ua jepte vendi ynë.

Vathi tregon se në fillim shkonin kudo me njëri-tjetrin, derisa filluan operatorët turistikë që përsëri, nuk ishin “të preferuarit” e tyre.

Pyetur për ngjarjet e plagosjeve apo vdekjeve të turistëve në vendin tonë, Vathi shpjegon se ngjarje të tilla u kanë ndodhur dhe turistëve shqiptarë apo ekspertëve të udhëtimeve dhe çdo gjë është tek personi.

“Shqipëria si vend i larmishëm, është destinacion i preferuar për aventurierët”, thotë ai.

Ndërkohë, turizmi më inaktiv është turizmi i plazheve ku shkohet vetëm për diell. Dhe aty, ata që janë më pak inaktivë, kërkojnë që të bëjnë diçka si një udhëtim me varka në ujë, të vizitojnë një vend apo të bëjnë aktivitete të ndryshme “të rrezikshme”.

“Edhe turistët e plazhit kërkojnë të rriskojnë sadopak që të jenë si turistët e tjerë aventurierë. Turistët “e urtë” janë nga Europa Lindore dhe Perëndimore”, thotë Vathi.

Të rinjtë janë ata që janë gjithmonë në kërkim të më shumë aventurave dhe përgjithësisht janë të dyja gjinitë që duan aventurën.

Vathi tregon se për shembull, nëpër male nuk kanë pse ngjiten pa guida lokale që e njohin rrezikun dhe çdo gjë në atë zonë, ndërkohë që 70% e turistëve tentojnë të shkojnë vetë në zona që këshillohet gjithmonë një guidë turistike dhe vetëm 30% e tyre kërkojnë guida.

“Është natyra e turistëve që duan adrenalinë dhe një guidë turistike do i zbehte gjërat”.

Në fillim të prillit të këtij viti, ishin dy turistë hollandezë që humbën rrugën në Llogara, tek “Qafa e thellë”.

Në maj ishin 4 turistë gjermanë që ranë në humnerë duke eksploruar zonën e Valbonës.

Rruga që duhet të ndiqnin turistët gjermanë që ranë në Theth dhe rruga që ndoqën. Gazeta "Si", 21 qershor, 2022.

Dy turistë belgë humbën në prill teksa shëtisnin mes Llogarasë dhe Dhërmiut. Ata u gjetën në një mal mbi fshatin Vuno të Himarës.

Ata kishin ngritur një kamping në zonë malore dhe gjatë shëtitjes kanë humbur rrugën.

Irda, hostes në një rezort në Shkodër tregon për Gazetasi.al se turistët më të qetë janë ata nga vendet nordike ndërsa më “problematikët” janë polakët.

Ajo tregon se edhe kur turistët paralajmërohen nga rreziqet që mund të hasin duke qenë se duan të shkojnë vetëm. Shumica e tyre nuk ndryshojnë mendje dhe shkojnë me të tjerë apo me raste pranojnë të marrin me vete edhe guidë.

“Ka edhe turistë që janë totalisht ‘të çmendur’ dhe shkojnë vetëm, edhe kur janë të paralajmëruar për rrezikun. Ka edhe turistë që u kemi thënë të mos shkojnë në një zonë pa një guidë turistike sepse ka rrezik, kanë shkuar pikërisht sepse u kemi thënë se ka rrezik. Nuk kanë pranuar as guidë sepse përndryshe nuk ka kuptim për ta”, shton e reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë