Treg

Turizmi shqiptar i aventurës është “In” jo vetëm për Instagram

Në vitin 2016, Shqipëria ka qenë një nga pesë top destinacionet e turizmit të aventurës sipas Organizatës Botërore të këtij lloji të turizmit, ATTA( Adventure Travel Trade Association) dhe  këtë sezon sfida e saj është nëse do të mundet të ngjitet më lartë apo të paktën të mos zbresë më poshtë.

Ky vlerësim është bërë nga anketimi i më shumë se 50 agjencive globale e nëse atëherë Shqipëria ishte risi, sot është një ndër konkurrentet më të forta në treg.

Nga veriu gjer në jug ajo të servir ngjitjet në male e bjeshkë,rafting në kanione, hedhje me parashutë, vizita në shpella e më gjerë, e kështu mes shtigjeve, ujëvarave e bregdetit blu, të bën të ndjekësh me dëshirë një itinerar ku veç natyrës, gërshetohen aty elementë kulturorë e historikë.

Turizmi i aventurës në Shqipëri po përqafohet gjithnjë e më shumë jo veç nga turistë të huaj por edhe nga shqiptarë të cilët kërkojnë përvoja të ndryshme dhe po priren të zbulojnë vendin tonë.

Neritan Ibi, drejtues i “My Albania Nature”, tregon për gazetën SI se ky lloj turizmi po ndiqet kryesisht nga grupmosha 20-45 vjeçare, kjo për shkak dhe të një lloj përgatitje fizike që ai kërkon dhe se 90% e këtyre turistëve së fundmi janë shqiptarë, edhe si pasojë e pandemisë e mbylljes së kufijve.

Neritani shton ndër të tjera se ky lloj turizmi shtrihet përgjatë gjithë vitit e në secilën stinë, Shqipëria ka gjithmonë diçka për të ofruar për të apasionuarit.

“Në pranverë nisin kryesisht hiking (ngjitjet) të cilat janë edhe më të preferuarat nga shqiptarët, vera na orienton drejt bregdetit ndërsa dimri drejt turizmit të bardhë.

Kulinaria gjithashtu është një tjetër element, është shumë e pasur në Shqipëri dhe në secilën periudhë, ka gjithmonë gatime unike”

Sigurisht që përtej panoramës së bukur dhe me ngjyra, turizmi i aventurës haset me një sërë problematikash të nxitura jo vetëm nga pushteti lokal dhe ai qendror por ndonjëherë edhe nga vetë turistët.

“Shumë prej tyre shohin vetëm  ndonjë foto në rrjete sociale dhe për të qenë dhe ata gjithashtu ‘in’ në Instagram, nisen me bindje të plotë pa marrë parasysh se terreni mund të jetë i vështirë e mund të ketë peripeci rrugës.”-evidenton për gazetasi.al Neritani, i cili nxjerr në pah të dy anët e medaljes, promovimin që ofrojnë rrjetet sociale por edhe faktin se shpeshherë fotot gënjejnë dhe jo gjithçka mund të jetë aq perfekte në dukje.

Një tjetër problematikë që ai ngre është fakti se kostot e këtij turizmi janë shumë lirë dhe gati gati kanë prekur fundin duke u nxitur nga hapja e shumë agjencive të tjera që janë futur së fundmi në treg.

“Nëse sot tregu ka nevojë për 5 agjenci, ne kemi 50. Janë shumë dhe asnjë nuk është i lumtur në këtë mes sepse të gjithë u detyruan të ulin çmimet.

Mendoj që do ishte më mirë të kishte më pak aktorë në treg por të gjithë të ishin të lumtur.

Pandemia e preku turizmin e aventurës deri tani vonë kur ora policore 20:00 përbënte ende shumë problem për ne që sapo kishim nisur aktivitetet.

Më parë kishim shumë kompani që paguanin këtë lloj turizmi për të gjithë stafin por tani janë shumë të pakta. Pandemia i bëri të mos kenë më fuqi paguese kështuqë ulja e ritmit të tyre, uli edhe kërkesën për punën tonë.”-shtoi gjithashtu Neritani.

Ai shton se për këtë vit parashikimet janë prap të vakëta me 10 deri në15%  më shumë turistë por nuk ka më shumë pritshmëri për më andej.

E mes të tjerash, ndër probleme kryeson infrastruktura ku ndonjëherë për shkak të kushteve atmosferike shtigjet  mbyllen dhe rrjedhimisht duhet një koordinim i mirë mes pushtetit vendor dhe atij lokal, që të mirëmbajnë këto destinacione të cilat nxisin ekonominë lokale, si dhe të shtojnë alternativat e turizmit edhe për të huajt.

Ada, një 22 vjeçare e apasionuar pas këtij turizmi flet me pasion për Shqipërinë ku shton se problemet dhe mangësitë ndonjëherë zerohen kur përballesh me bukuri të tilla natyrore.

“Unë kam provuar thuajse çdo lloj aktiviteti dhe e kam dashuruar secilin prej tyre. Kam nisur që nga hiking në vende të ndryshme, ka shtigje të mrekullueshme si në veri ashtu edhe në jug.

Udhëtimet nëpër kanione dhe shpella kanë qenë eksperiencë më vete që duhen përjetuar me patjetër por më e bukura ka qenë hedhja me parashutë nga maja e LLogarasë.

Ishte aq e bukur, magjike dhe euforike në të njëjtën kohë sa duhet vetëm ta përjetosh për ta kuptuar sepse me fjalë nuk arrij që ta shpjegoj dot.”-tha ajo për gazetasi.al

Ajo tregon edhe për eksperiencën e zhytjes të cilën e ka shijuar shumë, ku sa i përket saj, Shqipëria si atraksion special ka anijen italiane nga Lufta e Dytë Botërore, e cila është fundosur afër brigjeve.

Kjo anije është shumë e përshtatshme për eksplorim, sidomos për ata që janë fillestarë në zhytje, pasi bordi shihet në 10 metra thellësi dhe pastaj anija vazhdon deri në 20 metra thellësi.

“Kam patur rastin të provoj disa aktivitete të këtij turizmi dhe në Europë dhe çmimet atje janë relativisht shumë më të shtrenjta në krahasim me Shqipërinë.

Mendoj që shqiptarët duhet të investojnë në këtë lloj turizmi sepse Shqipëria ka aq shumë për të ofruar, nga Korabi në Gjipe. Edhe nëse nuk mund të përballosh një paketë të plotë, të bësh hiking në vende të mrekullueshme me 15 apo 20 mijë lekë të vjetra, është për t’u vlerësuar.

Rrugës është e pamundur të mos ndeshësh  banorë mikpritës që u shkëlqejnë sytë sa herë shohin njerëz dhe janë gjithmonë të gatshëm të të japin ndonjë detaj interesant për vendin.

Në çdo udhëtim timin shoh se shtohen gjithnjë e më shumë grupet që vizitojnë, pëlqejnë dhe e duan Shqipërinë.”-e mbyll fjalinë shumë optimiste Ada.

Në Shqipëri jugu e plotëson veriun dhe anasjelltas, turizmi i aventurës nis diku e përfundon në një tjetër skaj.

Të bësh turizëm aventure në vendin tonë do të thotë të jesh aty, në veriun autentik mes shtegut  “Peaks of the Balkans” që lidhet me Malin e Zi dhe Kosovën, duke e bërë këtë aventurë natyrore një udhëtim në histori në tri shtete , e në jug, atje ku gjithë çfarë të kap syri është bluja e detit që shkrihet me atë të qiellit, në një të vetme…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë