Futboll

Aventurë e re për Bekim Balajn, sulmuesi i Kombëtares firmos në Rusi

Bekim Balaj me skuadër te re. Sulmuesi i Kombëtares është rikthyer në kampionatin rus, ku ka firmosur për skuadrën e Njizhni Novgrorod. Klubi rus ka zyrtarizuar afrimin e futbollistit shqiptar, duke i bërë jehonë karrierës së tij me klubet dhe Kombëtaren e Shqipërisë, por pa dhënë shumë detaje sa i takon kontratës mes palëve.

Balaj e njeh futbollin rus, pasi më parë është aktivizuar me Terek Groznin, që më pas mori emrin Akhmat Grozni. Aty ka luajtur bashkë me Odise Roshin, futbollistin tjetër të Kombëtares. Shkodrani 30-vjeçar ka një karrierë të pasur, ku përveç Rusisë, ka luajtur edhe në Turqi, Çeki, Poloni, Kroaci dhe Austri. Së fundi ai ishte pjesë e Shturm Gracit në kampionatin austriak, por nuk pati shumë hapësira gjatë kampionatit.

Balaj me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 21 korrik 2021

Në fillim të merkatos emri i Balajt u përfol edhe për një rikthim të mundshëm në kampionatin shqiptar, konkretisht te Vllaznia, skuadra e tij e parë, por tashmë gjithçka është qartësuar për të ardhmen e sulmuesit.

Me përvojën e tij të gjatë, Balaj pritet ta ndihmojë ekipin e Njizhni Novgorod për një përfaqësim sa më dinjitoz në nivelin elitar të futbollit rus. Aktivizimi i rregullt me këtë klub do ta ndihmojë Bekim Balajn edhe për të qenë gati për Kombëtaren dhe trajnerin Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë