Analize

Avdullah Hoti, “Hija” e Mustafës që u bë sot kryeministër i Kosovës

I cilësuar shpesh si “hija” e Isa Mustafës, Avdullah Hoti, i zgjedhuri i Lidhjes Demokratike ka marrë sot “bekimin” e Kuvendit si kryeministër i Kosovës.

Edhe pse nuk është zgjedhur nga qytetarët e Kosovës, Avdullah Hoti u votua si kryeministri i Kosovës me 61 vota. Politikani nga Rahoveci zuri vendin e kryeministrit Albin Kurti, duke udhëhequr një qeveri koalicioni më AKK-në, Nismën dhe Listën Serbe. Kjo ishte tentativa e dytë e 44 vjecarit  për të udhëhequr Kosovë, dhe ndryshe nga viti 2017, sot, babai i dy fëmijëve ia doli.

Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1998, Hoti bëri doktoratën në Universitetin e Staffordshire në Mbretërinë e Bashkuar. Karriera e tij politike nisi pasi u bë pjesë e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës, ku edhe u njoh me Isa Mustafën.

Rrugëtimi përkrah mentorit të tij politik nis më 2008, kur fillimisht Hoti shërbeu si këshilltar për ekonominë i Mustafës, asokohe kryebashkiak i Prishtinës. Dy vjet më vonë, ai ishte kthyer në krahun e djathtë i Isa Mustafës, i cili pas rizgjedhjes si kryebashkiak i kryeqytetit, e emëroi Hotin nënkryetar.

Në vitin 2014, pasi Mustafa humbi garën për Prishtinën ndaj Shpend Ahmetit, Hoti u zgjodh për herë të parë deputet.

Isa Mustafa dhe Avdulla Hoti, Gazeta Si, 2020

Megjithëse, Lidhja Demokratike kishte dalë e dyta në zgjedhjet e atij viti, Mustafa arriti të bëhej kryeministër i Kosovës, falë një marrëveshjeje me Partinë Demokratike, që atëkohë drejtohej nga Hashim Thaçi.

Hoti u gjend sërish afër mentorit të tij, pasi Mustafa e emëroi Ministër të Financave, pozitë në të cilën shërbeu deri më 2017 dhe do të mbahet mend për reformën fiskale.

Në vitin 2017, në zgjedhjet që u mbajtën pas rrëzimit të Qeverisë me mocion mosbesimi, Lidhja Demokratike e udhëhequr nga Mustafa, ia besoi Hotit kandidimin për kryeministër të vendit në zgjedhjet e parakohshme.

Megjithatë, profesori nuk pati sukses në këtë garë, pasi partia e tij doli treta, ndërkohë që ai rezultoi, njeriu i tretë më i votuar në vend, me 115 mijë vota. Në zgjedhjet e 6 tetorit, dy vjet me vonë, Hoti mori vetëm 26 mijë vota, ndërkohë që kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani u kthye në figurën më të votuar të LDK-së me 176 mijë vota.

Pas formimit të koalicionit qeveritar mes LDK-së dhe VV-së, Avdullah Hoti u emërua zëvendëskryeministër. Ai u kthye në zërin kryesor të Lidhjes Demokratike, duke mbrojtur qëndrimet e partisë brenda Qeverisë.

Avdulla Hoti, Gazeta Si, 2020

Ai doli kundër kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë për “rrezikim të marrëdhënieve me Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, për shkak të refuzimit të heqjes pa kushte të tarifës 100% ndaj mallrave serbe, sipas kërkesës së të Dërguarit Special të Presidentit Trump për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Hoti ka botuar gjashtë libra në gjuhën angleze dhe gjashtëmbëdhjetë artikuj shkencor në revista ndërkombëtare lidhur me tregun e punës, zhvillimin ekonomik dhe tranzicionin, arsimin, emigrimin dhe remitancat etj.

Avdullah Hoti ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka në pronësi edhe tri banesa të vogla. Njëra 67 metra katrorë e blerë më 2010, tjetra vetëm 57 metra 2 e blerë më 2015 dhe e fundit 69 metra e blerë në vitin 2018.

Një ditë para mbajtjes së seancës, Hoti, ka thënë se qeveria e re do të përballet me sfida të shumta, duke nisur nga pandemia e koronavirusit, problemet ekonomike dhe dialogun me Serbinë.

Kjo pandemi pritet të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike. Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka thënë mbyllja për shkak të koronavirusi i ka kushtuar çdo ditë shtetit të Kosovës rreth 6 milionë euro.

Por, jo më pak i rëndësishëm është dialogu me Serbinë, një proces që është pezulluar nga viti 2018. Hoti merr miratimin e Kuvendit si kryeministër mes presionit të jashtëzakonshëm të administratës së presidentit amerikan Donald Trump për rikthimin në dialog. Për t’i hapur rrugën dialogut, i dërguari i Trump, Richard Grenell ka arritut dy marrëveshje të mëdha për rinisjen e bisedimeve: rikthimin e flurimeve direkte mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe rikonstruktimin e linjave hekurudhore.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë