Analize

Albin Kurti përfundoi atje ku e nisi.. në rrugë

Albin Kurti i thotë sot lamtumirë zyrës së tij në kryeministri, për t’u rikthyer në rrugë, aty nga ku e nisi edhe karrierën e tij politike. Edhe pse ishte njeriu më i votuar i zgjedhjeve të 6 tetorit, Kurti pësoi sot humbjen më të madhe politike, duke u detyruar të dorëzojë jo vetëm karrigen e kryeministrit, por edhe atë të deputetit.

Ai e nisi ditën e fundit si kryeministër, ashtu siç nisi edhe të parën: duke mbledhur kabinetin dhe ata pak njerëz të besuar që i kanë mbetur rreth vetes. Por ndryshe nga mbledhja e parë e qeverisë, mëngjesin e sotëm në kryeministri mungonin të gjithë ministrat e LDK-së, të cilët ishin duke u përgatitur për triumfin e kësaj partie: Votimin e qeverisë së re.

Ky ishte një moment tranziconi i dhimbshëm për të gjithë ministrat e Vetëvendosjes dhe njerëzit e tij më të afërt, të cilët kanë mbetur po ashtu jashtë parlamentit.

Në tetor të vitit të kaluar pas zgjedhjeve parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 30 karrige në Kuvendin e Kosovës dhe vuri deputetët më të votuar u në krye të disa prej ministrive.

Albin Kurti mori postin e kryeministrit, Glauk Konjufca postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albulena Haxhiu u bë ministre e Drejtësisë, Arben Vitia ministër i Shëndetësisë, Haki Abazi zëvendëskryeministër i dytë. Duke qënë se për t’u bërë pjesë e kabinetit ata dorëzuan mandatin e deputetit, Kurti dhe njerëzit e tij më të besuar nuk kanë zgjedhje tjetër veçse të marrin tanimë rolin e opozitës jashtëparlamentare.

Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Por si mund të mbesë pa pushtet, deputeti më i votuar në dy zgjedhjet e fundit në Kosovë?

Pas 9 viteve në opozitë dhe gati 14 viteve aktive në skenën politike, Lëvizja Vetëvendosje provoi në tetor shijen e pushtetit. Premtimet e Kurtit ishin sa të mëdha aq edhe të vështira, por edhe anti-konformiste. Duke u kërkuar votat shqiptarëve të Kosovës, ai premtoi kursimin në masë të parave publike, rifutjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, reforma madhore në arsim, liberalizimin e vizave, rritjen e buxhetit, drejtimin e dialogut me Serbinë, vendosjen e reciprocitetit me Beogradin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë. Por ndoshta edhe për shkak të kohës së shkurtër që qëndroi në pushtet, apo edhe “zhveshjes” nga kostumi i opozitarit, Kurti arriti vetëm një nga premtimet e tij.

Edhe pse tanimë në pushtet, Kurti vazhdoi të sulmonte kundërshtarët politikë si të ishte në opozitë. Në vend që të përqendrohej tek qeveria, Kurti duket se u përfshi në një betejë të egër politike me presidentit Hashim Thaçi, për dialogun me Serbinë dhe heqjen e taksës së vendosur nga paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj. Do të ishte pikërisht kjo betejë me Thaçin ajo që do t’i ‘’errësonte sytë” ish-kryeministrit, duke humbur mes vorbullës së kësaj lufte politike kontrollin mbi koalicionin qeveritar.

Ai nuk u përul përpara kërkesave të vazhdueshme të të dërguarit të presidentit Trump për Kosovën, Richard Grenell, për heqjen e pakushtëzuar të taksës, por u akuzua nga e gjithë skena politike se po rrezikonte marrëdhëniet me SHBA-në. Në përpjekjen e tij për t’i treguar presidentit Thaçi se ai ishte i zgjedhuri i qytetarëve të Kosovës, dhe se cdo vendim duhet të kalonte më parë nga ai, Kurti u akuzua se “veshi” edhe këpucët e LDK-së. Duke shkarkuar pa asnjë paralajmërim ministrin e Brendshëm nga radhët e kësaj partie sepse mbështeti kërkesën e presidentit Thaçi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakoshme për shkak të pandemisë, Kurti duket se “vrau me paramendim” koalicionin e tij qeverisës.

Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Ishte pikërisht kjo qasje e ashpër, por edhe sfidimi i SHBA-ve, ajo që duket se bashkoi të gjithë skeptikët kundër tij. Dhe ndërkohë që Kurti ishte i përqendruar te lufta me Thaçin, LDK duket nisi punën për formimin e qeverisë së re.

Koronavirusi ishte alibia i nismës së mocionit të mosbesimit, por arsyeja e vërtetë e rrëzimit të Albin Kurtit duket të ishte qasja e tij për dialogun me Serbinë. Debati për formatin dhe se kush e udhëheq këtë dialog e vendosi Albin Kurtin jo vetëm përballë Hashim Thaçit, por edhe përbalë administratës së Donald Trump.

Para se të merrte detyrën Albin Kurti si Kryeministër, administrata e Donald Trump u përpoq që të shuante konfliktin përmes një marrëveshjeje mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiçit. SHBA shtoi presionin ndaj heqjes së taksës 100 për qind si një gjest të vullnetit të mirë ndaj Serbisë dhe me shpresën e sigurimit të një marrëveshjeje të shpejtë, diplomatët amerikanë diskutuan deri tek ideja e ndaluar e ndarjes së Kosovës. Por, sic argumenton analisti amerikane Patrick Kingsley, pasi formoi koalicionin në muajin shkurt, Kurti nisi punën për të ngadalësuar e penguar procesin që kishte nisur para se ai të vinte në pushtet, duke e vendosur veten në një kurs përplasjeje me Uashingtonin.

Mes frikës së Hashim Thaçi mund të kishte arritur një marrëveshje të fshehtë për ndarjen e Kosovës, Kurti përdori të drejtën që i jepte Kushtetuta për të marrë në dorë dhe udhëhequr dialogun me Serbinë në vend të Thaçit dhe të mbajë tarifat pjesërisht në fuqi si një mjet presioni ndaj Serbisë.

Kjo është edhe arsyeja përse mocioni i mosbesimit u mirëprit në avancë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh e shqetësuar kur SHBA ngriu miliona dollarë ndihma për Kosovën, dhe më e alarmua kur Donald Trump Jr., që nuk ka asnjë post zyrtar në administratën e babait të tij, publikisht mbështeti qëndrimin e senatorit amerikan, që këshillonte tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova. Këto komente, që tmerruan qytetarët e Kosovës, që e shohin praninë e trupave amerikane në vendin e tyre si një garanci jetësore për sigurinë e vendit, duket se cuan edhe në krisjen e koalicionit qeveritar. Në këtë pikë, as LDK nuk besonte me Kurtit, dhe as Kurti, që shkarkoi ministrin e Brendshëm, nuk i besonte më LDK-së.

Në vendimin e tij të fundit, Kurti hoqi tarifat për të vendosur masat e reciprocitetit, ndali plotësisht  tregtinë me Serbinë, duke minuar të gjitha përpjekjet e Grenell për  fuqizimin e lidhjeve tregtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Për shumë intelektualë në Kosovë, Albin Kurti tregoi nuk mund të ketë program politik qeverisje, por vetëm atë të përmbysjes së pushteteve dhe qeverive. Për të tjerë ai tregoi se nuk u zhvesh nga parimet e tij edhe pasi shijoi shijen e pushtetit.

Megjithatë, kush i kujton skenat e gazit lotsjellës dhe protestat e egra në qendër të Prishtinës me thirrjet “Vetëvendosje, jo negociata”,  e di se Kurti është rikthyer në fushëbetejën e vetme që nuk e mposht dot askush: në sheshet e protestave!

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji

Më Shumë