Lajme

Qeveria “Hoti” merr miratimin e Kuvendit

Në Kosovë është formuar sot qeveria së re. Gjatë seancës së jashtëzakonshme, ekzekutivi i drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka marrë miratimin e Kuvendit, me 61 vota, nga 86 deputetë të pranishëm. Ndryshe nga qeveria e udhëhequr nga Albi Kurti, e cila u votua nga 66 deputetë, Hoti ka marrë vetëm shumicën e nevojshme

Për të udhëhequr vendin, krah me AAK-së, Nismës, Listës Serbe dhe komunitetet tjera joserbe, LDK-së i duhen 61 vota. Deputetët e pranishëm në sallë të Partisë Demokratike të Kosovës iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje që udhëhoqi vendin për vetëm 51 ditë, duke votuar kundër.

Në shenjë proteste, kryetarja Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, edhe pse nga radhët e LDK-së nuk ka pranuar të drejtuar seancën. Pas refuzimit të saj, por edhe të nenkryetares nga anët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, seancën është duke e drejtuar nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala.

Një grup qytetarësh janë mbledhur para Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke deklaruar se kanë dalë të protestojnë pasi sipas tyre kjo çfarë po ndodh është vjedhje e votës. Disa prej tyre po mundohen të hyjnë me forcë me sallën e Kuvendit duke u përplasur me forcat policore që kanë rrethuar ndërtesën.

Ndërkaq policia e Kosovës është vendosur në hyrje të Kuvendit, duke ndaluar qytetarët që të futen në oborrin e ndertesës. Ndërkohë në sallë, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Hoti ka treguar prioritetet e qeverisjes së tij: lufta kundër pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike e Kosovës.

“Nisur nga situata që po përballemi, prioritetet tona kryesore do të jenë Covid-19 dhe rimëkëmbja ekonomike pas kësaj pandemie. Krahas këtyre prioriteteve Qeveria do të ketë edhe prioritete të tjera që do të jenë forcimi i shtetit, rritjen e punësimeve, fuqizim të aftësive konkurruese”, ka thënë Hoti në fjalën e tij.

Ai theksoi po ashtu se do të marrë edhe përgjegjësinë për të çuar përpara procesin e dialogut me Serbinë. "Do të marrim përgjegjësinë për të çuar përpara procesin e dialogut bashkë me BE dhe SHBA duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit. Krijimin e bashkëpunimit pozitë-opozitë dhe kërkim i gjithpërfshirjes sidomos në procesin e dialogut”, ka thënë Hoti në fjalën e tij në Kuvend.

Ai deklaroi se dialogun është në interes jetik i Kosovës. "Marrëveshja gjithëpërfshirëse do të bazohet në njohjen reciproke në mes këtyre dy shteteve, dhe në këtë mënyrë do të sigurohet stabilzimi afatgjatë i Kosovës, anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe në strukturat veri-atlatnike perëndimore”, tha Hoti. “Kjo qeveri do të promovojë dhe mbrojë sovranitetin e vendit si një tërësi e pandashme”.

Sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, Hoti tha se do të krijohet fondi për rimbëkëmbje ekonomike, pasi sipas tij, dëmet nga pandemia e koronavirusit të ri mund të jenë të paparashikueshme.

Hoti ka premtuar mbështetje për bizneset për të tejkaluar krizën ekonomike që ka shkaktuar pandemia.

Në përmbyllje të fjalimit, Hoti ka prezantuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar. Ashtu sic pritej, LDK-ja kërkoi të rivendosë në krye të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, Agim Veliu, ministrin që u shkarkua nga Kurti dhe u kthye në “mollë e sherrit” që përcau LDK-në dhe Vetëvedosjen. Për herë të parë në ekzekutiv do të jetë deputeti Driton Selmanaj të cilit i është besuar posti i zëvendëskryeministrit si dhe deputeti Armend Zemaj që i është besuar dikasteri i Ministrisë së Shëndetësisë. Qeveria Hoti do të ketë 4 zv.kryeministra dhe 16 ministra, dy më shumë se sa qeveria Kurti.

Besnik Tahiri i AAK-së do të jetë zëvendëskryeministri i parë, ndërsa Driton Selmaj zëvendëskryeministri i dytë. E treta zv.kryeministre është Albulena Balaj-Halimaj nga Nisma Socialdemokrate. Goran Rakiq i Listës Srpska do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal.


Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti. Fotografi nga arkivi.
  • Emrat e qeverisë së re të Kosovës
  • Besnik Tahiri, zëvendëskryeministër i parë
  • Driton Selmanaj, zëvendëskryeministër
  • Albulena Balaj Halimi, zëvendëskryeministre
  • Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal
  • Hykmete Bajrami, ministre e Financave
  • Besian Mustafa, ministër i Bujqësisë
  • Vlora Dumoshi, ministre e Kulturës
  • Anton Quni, ministër i Mbrojtjes
  • Arban Abrashi, ministër i Infrastrukturës,
  • Agim Veliu, ministër i Brendshëm
  • Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë
  • Selim Selimi, ministër i Drejtësisë
  • Blerim Kuçi, ministër i Ekonomisë dhe i Ambientit
  • Meliza Haradinaj Stublla, ministre e Jashtme
  • Ramë Likaj, ministër i Arsimit
  • Skender Reçica, ministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale
  • Vesel Krasniqi, ministër i Tregtisë dhe i Industrisë
  • Dalibor Jevtiq, ministër për Kthim
  • Enis Kervan, ministër i Zhvillimit Rajonal.

Një ditë para seancës për votimin e qeverisë së re, kryetarja Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është edhe nënkryetare e LDK-së, ka thënë se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje pas përfundimit të pandemisë. Osmani sot nuk ka pranuar ta drejtojë seancën e votimit të qeverisë.

Vjosa Osmani dhe Hoti

Kryeparlamentarja Osmani e ka dhënë se në këtë fazë më e mira për Kosovën do të ishte formimi i një qeverie tranzitore me mandat 6-9 muaj, e drejtuar nga një figurë unifikuese me ministra teknikë.

“Një ide e tillë do të funksiononte vetëm nëse do të pajtoheshin të gjithë sepse do të kërkonte konsensus rreth një figurë unifikuese jopartiake. Pra që nuk varet nga Lista Serbe dhe parandalon agjendën për ndryshim kufijsh”, u shpreh Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë