Muzike

Ava Max – Muzika botërore njihet me një tjetër shqiptare

Ava Max është një emër që duhet ta mësoni dhe ta mbani mend, nëse nuk e keni bërë ende. Këngëtarja dhe kantautorja po sundon aktualisht të gjitha klasifikimet botërore me këngën e saj më të re “Sweet But Psycho”. Dhe me të drejtë. Është popi në më të mirën e vet. Mbushur me një kor të madh dhe një produksion që na kujton ditët e arta të kësaj rryme, do të përfundojë në shumë lista “Best of 2018” Me kryesimin e klasifikimit muzikor në Suedi, me një nuhatje për meloditë që të mbërthejnë menjëherë dhe një bashkëpunim në albumin e fundit të David Guetta-s, Ava është vetëm një hap larg shndërrimit në një super yll. Madje edhe më pak se aq, duke parë zhvillimet e vazhdueshme të klasifikimeve. “Kam vënë re se “Sweet but Crazy” po shkon në platin në Suedi, është çmenduri”, thotë ajo, e habitur sesi kjo ngjitje po ndodh aq shpejt. Mes udhëtimeve të saj nëpër Europë, këngëtarja ka dhënë një intervistë për “Celebmix”, për të rrëfyer sesi nisi rrugëtimi i saj në muzikë dhe drejt famës.

Këngëtarja me origjinë nga Shqipëria – nga janë këto kohë pothuaj të gjithë yjet më të mirë të pop-it –familja e saj u vendos fillimisht në Francë e më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku lindi Ava. Që në moshë të vogël, Ava e dinte se muzika luhej në venat e saj. “Mami këndonte gjithnjë nëpër shtëpi. Kur e dëgjova fillimisht të këndonte, nisa ta imitoj dhe këndoja gjithnjë pas saj, duke u përpjekur të isha po aq e zonja sa ajo.” Nga ajo kohë nisi të praktikohej dhe të mprehte aftësitë e veta, derisa “ krejt papritur isha në një sallon duke konkurruar dhe nga aty gjithçka nisi të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha”, thotë ndërsa i referohet së ëmës, këngëtare lirike.

https://www.youtube.com/watch?v=WXBHCQYxwr0


Në moshën 14 –vjeçare, ajo i kërkoi këshillë këngëtarit Pharrell Williams, sesi të depërtonte në industrinë e muzikës. E frymëzuar nga vendimi i guximshëm i familjes, për t’iu larguar vendit të tyre të turbullt në të kaluarën, ajo më pas vendosi të shpërngulej në Los Anxhelos për të ndjekur thirrjen e saj të vërtetë. Por vetëm kur njohu në një klub producentin legjendar Cirkut, me hite si (“Wrecking Ball”, “Starboy”, “Till The World Ends”), ëndrra e saj u bë më në fund realitet. “Kurrë nuk kam punuar me dikë më të talentuar se ai. Është aq i ëmbël dhe modest”, rrëfen Ava për producentin e saj. Që atëherë, ata kanë punuar në gjashtë pjesë muzikore dhe ajo nisi të përkufizojë tingullin e saj të dallueshëm. “Dua që muzika ime të jetë e skajshme, e drejtpërdrejtë dhe të përçojë energji të mirë”. E gëzueshme, argëtuese dhe fuqizuese, tekstet e Avës e pasqyrojnë këtë dëshirë të saj. “Dua ta bëj audiencën të ndihet e frymëzuar përmes tyre. Dua që t’u dëgjohet zëri përmes muzikës sime.”

Hite si përpunimi feminist i klasikes “Barbie Girl” të grupit Aqua, i japin garanci në përçimin e atij mesazhi të qartë në botë. E titulluar “Not Your Barbie Girl”, kjo pjesë shfaq një prodhim elektro-pop, që theksojnë vargjet e Avës. “Mund ta nxjerr veten për darkë, t’i ble diamante dhe shampanjë”, këndon ajo, përpara se të kalojë mbi korin. “Në fakt pata idenë të dilja me një version të ri të “Barbie Girl” sepse doja të frymëzoja se mund t’i bësh vetë gjërat e tua”, shpjegon Max rreth krijimit të kësaj pjese. Menjëherë pas publikimit, këngëtarja publikoi atë që njihet si hiti që i dha suksesin, “Sweet but Psycho”.

Është një bekim i pastër për peizazhin e popit dhe përfundoi në një këngë himn, që vetëm po pëson ngjitje në klasifikime. “Cirkut e bëri ritmin në pesë minuta”, thotë ajo rreth krijimit të këngës . E pyetur se përse vendosi të krijojë një këngë pop të tillë, Ava citon ndikimet e saj si arsye. “Gjithnjë kam kënduar këngë të vokaleve të mëdha si Christina Aguilera, kështu që gjatë gjithë jetës e dija se doja të këndoja ashtu. Ashtu doja të shprehesha me zërin tim.” “Sweet but Psycho” (E ëmbël, por Psiko) po sundon klasifikimet e këngëve në Britani dhe, me korin aq tërheqës, mund ta gjejë veten së shpejti në dhjetëshen më të mirë. Kënga është renditur në vendin e parë në Suedi, Finlandë, Norvegji dhe aktualisht qëndron në vendin e tetë në klasifikimet irlandeze. Është spikatur mes 98 milionë pjesëve muzikore në Spotify (6 milionë në Britani) dhe thuajse 11 milionë shikime në YouTube.

https://www.youtube.com/watch?v=Y-Wqna-hC2Y


Ajo që erdhi më vonë ishte një tjetër shkëlqim në karrierën e saj të re: publikimi i bashkëpunimit me David Guetta-n në një këngë të albumit të tij të fundit, titulluar “Let it Be Me”, e mban këngëtaren në territorin e njohur. Ta farkëtojë popin siç duhet është ajo çka bën më mirë. “Kënga vetë nis me një piano”, ka zbuluar këngëtarja. “Ishte një si festë e madhe në studio kur e mbaruam.” Versioni përfundimtar zbulon këngëtaren që digjet për një të dashur, të vijë tek ajo dhe “le të jem unë” , kur ai kërkon dikë që t’i tregojë sesi ngjan dashuria. Ky ritëm ngjitës, veror, na çon pas në vitet ’80. “Ishte ideja e David Guetta-s të vendosnim “Tom’s Diner” në këngë dhe menjëherë e kuptuam se duhet ta mbanim aty. Ishte zgjedhja e duhur.


Pas gjithë këtyre arritjeve, ç’vjen më pas për Avën? Çfarë dëshiron një vajzë, që ka punuar deri më tani me emra kaq të mëdhenj? “Së pari do të shkoj në Berlin dhe Hamburg për të bërë disa promo dhe performanca, edhe kushërinjtë e mi nga Shqipëria jetojnë atje dhe mezi pres t’i takoj.” Synimet e saj janë të nisë një turne “të jap koncerte dhe me shpresë të takoj fansat që më dërgojnë përshëndetje.”Me një muzikë inteligjente, nga Ava mund të priten shumë të reja, së shpejti. Ka publikuar edhe një këngë të titulluar “Make up” me Jason Derulo. “Një këngë flirtuese. Ka edhe dy këngë të tjera që do të dalin në fund të vitit.”A do të nxjerrë së shpejti një album? “Me siguri. Jam duke punuar për albumin. Dhe do të dalë vitin që vjen.”

*Përshtatur nga Celebmix


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë