Futboll

Autobusi parkuar para portës, ligji i Mourinjos që funksionon ende!

Gazeta Si – Mund të mos u pëlqejë atyre që duan futbollin e bukur, por u pëlqen tifozëve të saj. Roma e Leverkusenit ishte akoma më mbrojtëse se zakonisht, nuk gjuajti asnjëherë në portë, por mbrojti golin e shënuar në ndeshjen e parë dhe shkoi në finalen e Budapestit.

Ishte egzaktësisht plani i Mourinjos, një përsëritje e gjysmëfinales së Championsit të 2010-ës me Interin në Barcelonë. ‘Special One’ arrin kështu finalen e 6-të europiane në karrierë. Dhe 5 të tjerat i ka fituar…

Mourinjo e kishte thënë në fakt. Nuk ka dyshim që Roma aktuale, pa disa nga lojtarët kyç, është e kufizuar për të prodhuar futboll të nivelit të lartë europian. Nëse ka shkuar kaq larg, e ka bërë duke shfrytëzuar ‘armët’ që ka në dispozicion, sakrificën e të gjithë lojtarëve dhe aplikimin e loje të hekurt mbrojtëse.

Roma feston kalimin ne finale te Liges se Europes. gazeta Si, 19 maj 2023

Nuk mund të pretendohet ndryshe nga një skuadër, kur lojtari me kualitet më të lartë i saj është i detyruar të qëndrojë në stol për 90 minuta. Dibala jashtë, Smolling i aktivizuar si zëvendësues pas shumë kohësh në bokse, Spinacola që dëmtohet pa u mbyllur pjesa e parë dhe Bove që adaptohet si anësor i djathtë.

Për këtë Romë është një arritje kualifikimi në finalen e Ligës së Europës në Budapest, ku do të përballet me Seviljen. Mourinjo zgjodhi një 3-5-2 me dy sulmues, Beloti dhe Abraham, të detyruar të tërhiqeshin në gjysmëfushën e tyre. Mbrojtja me 5 lojtarë mbulon hapësirën ku veprojnë sulmuesit e Bajer Leverkusenit. Mesfushorët spostohen horizontalisht me shkallëzim, duke mos u dhënë kohë dhe hapësirë kundërshtarëve.

Më pas hyn Uijnaldum për Belotin dhe Roma kalon në një 3-5-1-1, që mbulon çdo centimetër të fushës. Mourinjo kështu fluturon në finale me mënyrën e vet, me autobusin parkuar para portës, që funksionon ende. Me këtë mënyrë ai ka fituar trofetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë