Futboll

Autobiografia e Modriç: Kam marrë më shumë nga ç’ëndërroja

Luka Modriç ka vendosur të rrëfehet dhe këtë gjë e ka bërë në 300 faqe, në autobiografinë e tij me titull “Loja ime”. Mesfushori kroat i Real Madrid ka prezantuar librin e ri në vendin e tij. Dashuria për sportin, shokët, familja, fitoret me klubet dhe me kombëtaren…

Dhe ka qenë pikërisht Kroacia që e ka shtyrë fituesin e “Topit të artë” të tregojë historinë e tij. “Idenë për të shkruar një libër të tillë e kam pasur disa herë. Po prisja të arrija diçka të rëndësishme me fanellën e vendit tim. Botërori në Rusi ishte i jashtëzakonshëm dhe në atë moment vendosa për të shkruar autobiografinë”, ka thënë Modriç për “novilist.hr”.

Modriç në prezantimin e autobiografisë. Gazeta "Si", 18 nëntor 2019

Në librin e shkruar në bashkëpunim me Robert Mateonin, futbollisti tregon gjithçka, që nga fillimet e karrierës e deri te sukseset e fundit. “Si gjithë fëmijët e tjerë, kisha ëndrrat e mia, dëshirat dhe shpresat, por ajo që kam realizuar është shumë më shumë se sa kam ëndërruar. Kur shoh prapa, nuk ka si të mos jem krenar dhe i lumtur”, - është shprehur lojtari i Realit. Në prezantimin e librit kanë marrë pjesë disa nga shokët e mesfushorit, si braziliani Marselo dhe Mateo Kovaçiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë