Ne rrjet

Austria ndan një milion doza vaksinash për Ballkanin Perëndimor

Austria do të ndajë një milion doza të vaksinave kundër koronavirusit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Lajmi u bë i ditur nga kancelari austriak Sebastian Kurz të premte, kur mblodhi në Vjenë liderët e Ballkanit Perëndimor.

Austria po ashtu ka ndarë 651,000 vaksina për këtë rajon përmes bllokut europian.

“Përtej kësaj, ne po ashtu duam të bëjmë një kontribut bilateral, andaj kemi vendosur, si qeveri, që të ndajmë një milion doza të vaksinave në vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurz në një konferencë për media pas samitit.

Kosova është përfaqësuar nga kryeministri Albin Kurti, Shqipëria nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, Serbia nga kryeministrja Ana Bërnabi, Bosnja nga kryesuesi i Këshillit të Ministrave, Zoran Tegeltija, Maqedonia e Veriut nga kryeministri Zoran Zaev dhe Mali i Zi nga kryeministri Zdravko Krivokapic.

Në samit ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.

Dozat do të ndahen në periudhën nga gushti deri në fund të vitit, pa treguar se cila shtete do të përfitojnë të parat apo se si do të ndahen ato mes tyre. Ai nuk ka treguar as llojin e vaksinës që do të ndahet për këtë rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë