Lajme

Austri, avokati shqiptar plagos me thikë një 30-vjeçar në Vjenë

Gazeta Si - Një 30-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë në Vjenë të martën dhe autori i dyshuar i ngjarjes thuhet se është një avokat shqiptar, gjithashtu 30-vjeçar.

Sipas mediave austriake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:20 të së martës, në një apartament në kryeqytetin austriak.

Policia iu përgjigj një njoftimi për incidentin me ulërima që vinin nga një banesë.

Sipas dëshmitarëve, një burrë shqiptar, 30 vjeç, është parë të dalë nga apartamenti me duart me gjak, por pa plagë të dukshme në trup.

Një tjetër burrë, gjithashtu 30 vjeç, është gjetur brenda në shtëpi me një plagë në shpinë.

I plagosuri është dërguar në spital, pasi i është dhënë ndihma e shpejtë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Në apartament është gjetur edhe një thikë që dyshohet të jetë arma e përdorur nga autori.

Sipas hetimeve, të citura nga mediat austriake, autori, i cili ushtron profesionin e avokatit në Shqipëri, u dërgua në burg me urdhër të Prokurorisë Publike të Vjenës.

Ende nuk janë zbardhur detaje rreth identitetit të tij por pritet që të merret në pyetje gjatë ditës së sotme për ngjarjen e rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë