Kryeministri Rama nuk humbi kohë, por zgjodhi të bëjë më dije rezultatet e Samitit të Sofjes nga aeroporti “Nënë Tereza”, por fillimi i konferencës nuk ishte i njëjtë me fundin e saj.
Rama zgjodhi të mos i përgjigjej pyetjes së një gazetareje se pse duhet të ketë gjithmonë ministra të Brendshëm të implikuar në qeverinë e tij, duke iu referuar Tahirit dhe tani Xhafajt, por reagimi i Kryeministrit ishte disi nervoz.
“Eja dhe vazhdoje ti konferencën”- tha Rama duke iu drejtuar gazetares dhe më pas u largua nga foltorja.
Duke u përgjigjur për audio-përgjimin dhe dëshmitarin X të PD, Rama u shpreh se është një maskaradë që tregon se në cfarë derexheje është katandisur PD. Por Kryeministri falenderoi PD për videon e dëshmitarit X, pasi “e bëri shumë të lehtë demaskimin e maskaradës”- tha Rama.
Duke ruajtur sekretin, Kryeministri nuk e ndau me publikun adresën dhe emrin e agjencisë së specializuar, të cilës i ishte drejtuar për ekspertizën e audio-përgjimit të PD, por u shpreh: “Ajo çfarë kam bërë ka qenë urgjente për mua, për të ditur unë të vërtetën. Nuk ka vlerën e një prove, provën duhet ta identifikojë dhe certifikojë, cilado që të jetë ajo, Prokuroria. Por sa më takon, jam shumë i qartë dhe e përsëris, bëhet fjalë për një maskaradë të organizuar me qëllime që janë të qarta për të gjithë dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe mundësisht hedhur në erë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë”.
Kryeministri duke përsëritur vendimin e dy ditëve më parë për Fatmir Xhafajn deklaroi: “Xhafaj do vazhdojë të jetë në krye të detyrës, të cilën e bën me rezultate domethënëse. Opozita është e shqetësuar nga rezultatet e punës së ministrit të Brendshëm”.
Rama vijoi përgjigjet ndaj gazetarëve duke folur për opozitën “Nuk e kam menduar kurrë se do të nxirrja nga goja fjalën “sabotim” për opozitën, por kjo që po bëjnë është një sabotim i mirfilltë, por fatmirësisht, jo përfundimtar”.
“Balta nuk përcakton vendimin e Gjermanisë, Francës apo BE, por ushqen ata që janë kundër zgjerimit të BE”- u shpreh Kryeministri me nota kritike ndaj opozitës, duke shtuar se
“Opozita është në krahun e atyre që janë kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë, pavarësisht cfarë thonë në fjalinë e fundit, se fjalimet e tyre nuk i dëgjon njeri”- u shpreh Rama.
Në lidhje me hapjen e negociatave Rama deklaroi se “Vendimi në qershor nuk do jetë pa dritë. Puna jonë është të këmbëngulim dhe të bëhemi të bezdisshëm tek vendet e BE, që zëri ynë të dëgjohet, por jam më optimist sot se kur u nisa për në Sofje” – tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.