Lajme

Audio-përgjimi, Paloka: Rama po imponon rezultatin e ekspertizës, Balla: Shantazh ndaj Xhafajt

PD vijon akuzat nga Kryeministrit Rama dhe ministrit Xhafaj në lidhje me audio-përgjimin e publikuar nga selia blu, e cila thotë se në regjistrim është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm.

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi nga selia blu se as Rama dhe as Xhafaj nuk e tregojnë agjencinë e specializuar, që ka bërë ekspertizën e zërit në audio-përgjim.

“Rama dhe Xhafaj nuk bënë transparencë ashtu sic kanë detyrimin ta bëjnë, jo se e ashtuquajtura ekspertizë nuk përbën provë, por sepse asnjë agjenci e specializuar nuk do t’i thoshte të zezës të bardhë”- theksoi Paloka, i cili vijoi akuzat drejtuar ministrit të Brendshëm duke u shprehur i bindur se “Xhafaj e di se zëri në audio-përgjim është i vëllait të tij dhe si dëshmitari X, Veliu dhe gazetari Olldashi thonë të vërtetën, ashtu sic edhe Rama e di që Agron Xhafaj është koka e trafiqeve në Vlorë, prandaj gënjeu për ekspertizën”- deklaroi deputeti demokrat.

Paloka akuzoi Kryeministrin se është bërë pjesë e skenarit për të mbuluar veprat kriminale të Agron Xhafajt, për të mbajtur në këmbë qeverinë e inkriminuar.

Paloka akuzoi Ramën se kërkon t’i imponojë Prokurorisë një rezultat të paracaktuar si ekspertizë të zërit të Agron Xhafajt, të cilin nënkryetari i PD e quajti si pjesën e dytë të skenarit kriminal.

“Xhafaj qëndron ende në detyrë për të vazhduar manipulimin dhe shkatërrimin e provave nëpërmjet kukullave të tij në Prokurori Arta Marku dhe Donika Prela”- u shpreh Paloka.

Duke i bërë thirrjë shqiptarëve pa dallime partiake që të bashkohen me opozitën në protestën kombëtare të 26 majit, Paloka tha se ka ardhur koha që t’i thuhet ndal pengmarrjes së shtetit nga krimi dhe shqiptarët të bashkohen nën një zë “Xhafaj ik”.

Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar socialist duke folur gjatë “Turit të llogaridhënies” nga Librazhdi, u shpreh se audio-përgjimi i publikuar nga PD është një inskenim shantazhi ndaj ministrit Xhafaj, ku sipas tij janë të përfshirë krerët e opozitës, por edhe ndonje gjyqtar i korruptuar.

“Ne do të kishim marrë masa të ashpra ndaj kujtdo, nëse kjo histori me Babalen do të kishte një të vërtetë sado të vogël. Por gjithë ky inskenim shantazhi ndaj Fatmir Xhafës si ministër, vjen për shkak të luftës pa kompromis që ky i fundit i ka shpallur krimit të organizuar. Dhe në këtë inskenim janë të përfshirë, jo vetëm politikanë të korruptuar si Saliu, Monika, Luli etj, por është përfshirë edhe ndonjë gjyqtar i korruptuar, sepse duke qenë se Vetting-u do t’i pastrojë nga sistemi i drejtësisë, u munduan të shantazhojnë ministrin, të shantazhojnë qeverinë, për të mos lejuar vijimin e aksionit “Forca e Ligjit” dhe për të mos vijuar punën që kemi nisur”, deklaroi Balla nga Librazhdi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë