Lajme

“Audio-përgjimi i Xhafajt”, tre zyrtarët e PD nesër tek Krimet e Rënda, sot ministri Xhafaj u takua me Ramën

Tre zyrtarët e PD, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji dhe Gazmend Bardhi janë thirrur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dëshmuar në lidhje me audio-përgjimin e publikuar disa ditë më parë, për të cilin selia blu pretendon se është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj i përfshirë në një aferë trafiku droge.

Tre zyrtarët e PD do të dëshmojnë të enjtën në orën 10:00 para prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Mëngjesin e të martës, një oficer i Policisë Gjyqësore mori në selinë blu audio-përgjimin e publikuar disa ditë më parë nga PD.

Pas zhvillimeve të shumta të ditës së sotme në lidhje me cështjen e “Xhafaj”, ministri i Brendshëm ka zhvilluar një takim me Kryeministrin Edi Rama. Ende nuk dihet tema e bisedës mes tyre, por takimi u zhvillua, pasi Rama deklaroi se Xhafaj nuk do të largohet nga posti i ministrit, sepse audio-përgjimi i PD nuk është autentik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë