Deputetët e Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji prisnim t’i shihnim në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por nuk ndodhi kështu, ata kanë zënë vend në ulëset e tyre në Kuvend, ku po marrin pjesë në seancën parlamentare të së enjtes.
Mësohet se dy deputetët dhe këshilltari ligjor i PD, Gazmend Bardhi i kanë kërkuar Prokurorisë që të caktojë një datë tjetër për të marrë dëshminë e tyre, për shkak të pjesëmarrjes në seancën plenare.
Prokuroria e Krimeve të Rënda njoftoi një ditë më parë thirrjen e tre zyrtarëve të PD për të dëshmuar në lidhje me audio-përgjimin e publikuar disa ditë më parë nga selia blu, ku sipas saj është vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj duke kryer një aferë trafiku droge me një person të quajtur nga PD “bashkëpunëtori X”. Pas publikimit të audio-përgjimit, opozita kërkon dorëheqjen e ministrit Xhafaj dhe ka deklaruar se nuk do të lejojë seancë normale parlametare.
Me nisjen e seancës plenare u betua deputeti më i ri i Parlamentit, Spartak Braho i cili zëvendësoi deputetin e dorëhequr në listën e PS, Saimir Tahiri, i cili po hetohet nga Prokuroria për trafikim lëndësh narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion pasiv.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.