Podcast

Audio-Lajme shkurt 14 nëntor 2019

Arta Vorpsi bën betimin si anëtare e Kushtetueses te noteri
Kandidatja për anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi ka bërë betimin si anëtare për në këtë Gjykatë, jo te Presidenti i Republikës ashtu siç e kërkon Kushtetuta, por te noterja.
Betimi i gjyqtares Arta Vorspi është bërë pranë noteres Miranda Xhemalçe. Arta Vorpsi ka njoftuar për betimin institucionet kushtetuese: presidentin, KED dhe Gjykatën Kushtetuese.
Te noterja ajo mësohet të jetë shprehur: “Me dorën në Kushtetutë, betohem!”
Ndërkohë, presidenti Meta në konferencën me gazetarët mbrëmjen e kaluar e ricilësoi si kontrabandë botimin në Fletoren Zyrtare të emërimit të Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese dhe gjatë gjithë konferencës me pyetje-përgjigje me gazetarët, nënkuptoi vazhdimisht se nuk do të organizonte ceremoni betimi për të.

Reagon Presidenca: Nuk ndalojmë askënd të betohet, as tek noterja as tek parukierja
Menjëherë pas betimit te noterja të kandidates për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, ka reaguar edhe presidenca. Zëdhënësi i kreut të shtetit u shpreh jo pa ironi se “Presidenti Meta nuk ndalon askënd të betohet, as te noterja, as te parukierja”.
“Presidenti Meta është betuar me dorë mbi Kushtetutë dhe për të Shqipëria dhe shqiptarët janë të parët”, u shpreh zëdhënësi Tedi Blushi.

Kreu i Dhomës së Noterëve: Veprimi i noteres, i ligjshëm
Pas betimit të Arta Vorpsit te noterja Miranda Xhemalçe ka reaguar edhe kryetarja e Dhomës së Noterëve, Mimoza Sadushi. Sipas saj, noterja Xhemalçe thjesht ka bërë detyrën dhe veprimet e saj janë të ligjshme.
Nga ana tjetër, Sadushi nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse betimi i bërë nga Arta Vorpsi ka të njëjtën vlerë si te presidenti. Ajo shtoi se kjo duhet të zgjidhet nga ana e institucioneve.
“Çdo qytetar që paraqitet në zyrën e noterit me vullnetin e tij noteri është i detyruar t’i marrë deklarimin. Kjo është e ligjshme. Nëse ky veprim është i barasvlershëm si para presidentit për këtë nuk shprehem dot. Le ta zgjidhin institucionet”, mësohet të jetë shprehur ajo.

Basha: Gjykata Kushtetuese, grusht institucional
Lulzim Basha foli për një grusht shteti institucional, duke iu referuar përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. “Edi Rama ka vetëm një qëllim, ose ta kapë ose ta bllokojë reformën në drejtësi. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese, është grusht institucional. Një Gjykatë e kapur, një drejtësi e kapur i shërben qeverisë dhe një grushti oligarkësh dhe jo ju”, tha Basha. Deklaratat kreu i PD-së i bëri nga Saranda, ku vijoi turin “Rrugëtimi për Shqipërinë”, në një takim me operatorët turistikë në këtë qytet. Kryefjalë e kreut të Partisë Demokratike ishin premtimet dhe programi i opozitës për të lehtësuar biznesin dhe sipërmarrjen.

Reagimet kundër betimit para noterit të Arta Vorpsit
Më herët, Partia Demokratike tha se “me betimin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese përmes një akti noterial, Arta Vorpsi provoi se nuk mund të jetë as ligjërisht dhe as moralisht e pavarur dhe mbrojtëse e Kushtetutës dhe e lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë që burojnë prej saj”. Edhe nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, përmes një komenti të publikuar në rrjetet sociale, por të fshirë më vonë, tha se akti i Arta Vorpsit nuk mund të cilësohet betim, por thjesht shfaqje e njëanshme e vullnetit të saj. Nga Lëvizja Socialiste për Integrim betimin e Arta Vorpsit para noterit e konsiderojnë “marrëzi të noterizuar”. Ndërkohë, ish-deputeti dhe ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani ironizon në rrjetet sociale. “Kulmi u arrit! Gjykatën Kushtetuese e bënë me ligjin e martesave. Parlamentin e bënë zyrë lidhje martese. Hajt shnet edhe Reforma!”, shkruan ai.

Gara për kryeprokuror, Olsjan Çela renditet i pari
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbyll procesin e pikëzimit të kandidatëve për postin e prokurorit të Përgjithshëm, duke renditur të parin Olsjan Çela. Sipas vlerësimit të kryer nga KLP, kryeprokurorja aktuale Arta Marku renditet e dyta, ndërsa e treta kandidatja tjetër Fatjona Memçaj.
Kryetari i KLP-së,Ibrahimi bëri thirrje që Parlamenti, institucioni që ka të drejtën të votojë për kryeprokurorin e ri të ndjekë logjikën e renditjes, duke nënkuptuar të ishte pro Çelajt. Edhe pse Kuvendi merr vendim politik, për të zgjedhur kryeprokurorin e ri duhen 84 vota, në të kundërt, nëse nuk arrihen votat, kandidati i renditur i pari është automatikisht shpallet drejtuesi i ri i Prokurorisë me një mandat 7-vjeçar.

Meta e quajti mafioz, përgjigjet kreu i KED: Je i detyruar t’i përmbahesh listës së emrave
Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ka reaguar pas akuzave të forta të Presidentit Ilir Meta, gjatë konferencës së djeshme për procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, teksa e cilësoi atë një mafioz dhe ushtar të verbër të partisë.
Në reagimin e tij, Dvorani i cilëson të pavërteta akuzat e Metës, ndërsa gjuhën e tij jo etike dhe jo institucionale. Në sqarimin e tij, Dvorani thekson se “KED ka ezauruar të gjitha procedurat e verifikimit, vlerësimit dhe të renditjes së kandidatëve për të gjitha vendet vakante. Cilido autoritet tjetër, përfshirë organet e emërtesës, kanë detyrimin të respektojnë vendimet e KED në këtë proces. Prandaj, ato janë të detyruar ti përmbahen listave të publikuara per sa i takon renditjes dhe përbërjes së tyre, në këtë rast të dërguara Presidentit dhe Kuvendit”.
Sipas kreut të KED, të tre institucionet, si Presidenca, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë, janë të detyruar të zgjedhin kandidatët në listat e KED, pasi Kushtetuta nuk i njeh asnjërit “lirinë” përtej këtyre emrave.

Vettingu shkarkon kryetarin e Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehun
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Gjykatës së Kukësit, Isuf Shehu. Sipas hetimeve të KPK-së, Shehu kishte probleme me pasurinë si dhe fshehje të një banese trekatëshe në Kukës. Nga hetimet ka rezultuar se Shehu s’ka pasur mundësi financiare për ndërtimin e banesës dhe kishte një diferencë ekonomike në vlerën e 5.2 milionë lekëve.

Më shumë vdekje nga diabeti se kanceri, 5 mijë raste të reja në vit
Sot është Dita Ndërkombëtare e Diabetit, një sëmundje që po merr shumë jetë dita-ditës. Sipas të dhënave nga Shoqata e Diabetit në Shqipëri, ne kemi rreth 3-5 mijë raste të reja në vit. Në kuadër të kësaj dite Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ishte në sheshin Skënderbej ku kreu një sërë aktivitetesh, për të sensibilizuar popullatën për sa i përket diabetit. Një ndër format ishte edhe matja e glicemisë për çdo qytetar të rastit. 8.6 për qind e këtyre qytetarëve që kryen kontrollin sot rezultuan diabetikë, ndërsa 14.5 për qind rezultuan prediabetikë.

Lojërat Olimpike, atletes Luiza Gega i dyfishohet paga deri në gusht
Luiza Gega do të paguhet me dyfishin e pagës deri në muajin gusht të vitit të ardhshëm. Atletja e garave të gjata po përgatitet për Lojërat Olimpike “Tokio 2020” dhe Komiteti Ekzekutiv i KOKSH-it në një takim të fundit ka vendosur që kjo sportiste elitare të ketë një trajtim më të mirë financiar. Gega do të paguhet 1800 dollarë në muaj nga 900 që merrte më parë. “Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it, sportistes Luiza Gega tashmë do t’i dyfishohet shuma e mbështetjes financiare nga 900 dollarë në 1800 dollarë në muaj. Një financim nga fondi i KOKSH-it për periudhën dhjetor 2019-gusht 2020”, - shkruhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të KOKSH-it. Atletja është kualifikuar me pikë për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020” në disiplinën e 3000 metrave me pengesa. Në Botërorin e Atletikës në salla të mbyllura që u zhvillua në Katar, Gega arriti një rekord kombëtar në këtë disiplinë, me kohën 9 minuta, 19 sekonda dhe 93 të qindtat. Në këtë aktivitet, atletja zuri vendin e 9-të dhe kjo është një arritje historike për atletikën shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë