Lajme

Flakët përpijnë Athinën, dyshohet se mes viktimave ka shqiptarë

Viktima, të plagosur, qindra shtëpi dhe makina të shkrumbuara, mijëra pemë të djegura. Për  banorët  e Athinës orët e fundit kanë qenë një ferr i vërtetë. Grekë, por edhe emigrantë shqiptarë e kaluan natën mes përpjekjeve të dëshpëruara për t’u shpëtuar flakëve, të cilat shpërthyen papritur në lindje të kryeqytetit. Mediat e vendit fqinj shkruajnë se të paktën 49 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 170 të tjerë janë lënduar, pasi kanë mbetur të bllokuar në makinat dhe shtëpitë e tyre. Zjarri në rajonin e Atikës shkaktoi kaos në të gjithë kryeqytetin grek, duke bllokuar pothuajse rrugët që të çonin drejt tij. Qindra makina dhe autobusë me turistë dhe udhëtarë, përfshirë edhe ata që ishin nisur nga Shqipëria u bllokuan për gjatë gjithë natës në rrugën Athinë-Korinth. Sipas dëshmimtarëve, radha prej më shumë se 50 kilometrash ka bllokuar për orë të tëra edhe autobusët e linjave Tiranë-Athinë, si dhe qindra  automjete të tjera.

Sipas Kryqit të Kuq, në bodrumin e një vile në fshatin bregdetar të Matit, i cili u kthye edhe në qendrën kryesore të katastrofës, janë gjetur 26 trupa të pajetë. Punonjësit e skuadrave të emergjencës përdorën anije dhe helikopterë për të evakuuar një plazh, në të cilim ishin bllokuar më shumë se 10 turistë. Deri më tani Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare dhe Ambasada e vendit tonë në Athinë kanë njoftuar se nuk ka shqiptarë të lënduar nga zjarret. Megjithatë, ambasada ka publikuar një njoftim zyrtar në Facebook, ku u kërkon të gjithë të gjithë qytetarëve shqiptarë në zonat e prekura të kontaktojnë në numrin e vënë në dispozicion nga autoritetet.

Njoftimi i Ambasadës Shqiptare në Greqi

Qindra zjarrfikës po luftojnë ende me flakët, ndërkohë që Greqia ka kërkuar ndihmën e autoriteteve ndërkombëtare. "Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për të vënë nën kontroll flakët," u tha gazetarëve Kryeministri grek, Alexis Tsipras, duke njoftuar gjithashtu se kishte anuluar vizitën zyrtare në Bosnjë. Shumica e viktimave u bllokuan në fshatin Mat, 40 kilometra në veri-lindje të Athinës dhe vdiqën të bllokuar në shtëpitë ose në makinat e tyre. Fshati ndodhet në rajonin e Rafinës dhe është mjaft popullor me turistët lokalë, veçanërisht për pensionistët dhe fëmijët që shkojnë në kampet e pushimeve.  Sipas “Reuters” zjarri nuk ka kursyer as të vegjlit, pasi 16 fëmijë ndodhen në mesin e viktimave.

Makina të shkrumbuara në Mat

"Mati është bërë shkrumb e hi-  u shpreh një grua për televizionin grek “Skai TV”- Pashë kufoma, makina të djegura. Ndihem me fat që jam gjallë. Fatmirësisht kishim detin pranë dhe u futën në ujë sepse flakët po na ndiqnin gjatë gjithë rrugës. Duhet të vraponin për të shpëtuar veten".

Mati  zgjohet në flakë

Si reaguan autoritetet?

Kryeministri Tsipras ka shpallur gjendjen e emergjencës në Atika, duke thënë se të gjitha forcat emergjente janë mobilizuar. Qeveria greke u ka kërkuar vendeve të tjera evropiane të dërgojnë helikopterë dhe zjarrfikës, për t’i ndihmuar të vënë nën kontroll zjarret. Italia, Gjermania, Polonia dhe Franca kanë dërguar avionë, automjete dhe zjarrfikësve, por me temperaturat priten të rriten sërish, autoritetet greke dhe ato europiane e kanë gjetur veten në një garë kundër kohës. Zjarret janë më të egrat që kanë goditur Greqinë që nga viti 2007, kur dhjetëra njerëz u dogjën të gjallë në gadishullin jugor të Peloponezit.

https://twitter.com/g0rilla_zo/status/1021571278979981312

Çfarë e shkaktoi zjarrin?

Zjarret janë kthyer në një normalitet të hidhur në Greqi përgjatë muajve të nxehtë dhe të thatë të verës. Megjithatë, sipas hetimve paraprake kjo tragjedi mund të jetë shkaktuar nga dora e njeriut. Autoritetet greke kanë sugjeruar se flakët mund të kenë filluar nga zjarrvënësit, në përpjekje për të plaçkitur shtëpitë e braktisura. Por fatkeqësisht, flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën në të gjithë rajonin nga erërat e forta.

Qindra banorë të vendpushimit bregdetar të Matit arritën të mbijetonin duke kërkuar strehim në plazhet e afërta dhe duke qendruar në ujë për orë të tëra. Fotot prekëse të banorëve të dëshpëruar që përpiqen t’i shpëtojnë tërbimit të flakëve kanë pushtuar ditën e sotme faqet kryesore të mediave greke.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë