Ne rrjet

Athina mund të hyjë sërish në karantinë për të paktën 2 javë

Qeveria greke ka paralajmëruar sot se Athina do të hyjë sërish në karantinë në rast se numri i rasteve të reja me Covid-19 vazhdon të rritet. Autoritetet po kërkojnë një izolim të lokalizuar vetëm për Athinën, duke thënë se rastet e të infektuarve janë përhapur në çdo lagje të kryeqytetit.

Ditën e djeshme vendi fqinj shënoi numrin më të lartë të rasteve të reja ditore që nga fillimi i pandemisë, plot 453 të infektuar, shumica e të cilëve ndodheshin në rajonin e Atikës. Ashtu si shumë vende europiane, edhe Greqia është përballur këtë fillim shtatori me një rritje alarmante të rasteve të reja.

Në përpjekje për të frenuar pandeminë, qeveria e Qiriako Mistotaqis vendosi të hënë një rregullore të re që nuk lejon më shumë se 9 persona në ambientet e brendshme dhe jo më shumë se 20 persona në dasma e varrime. Sipas rregullave të reja,  punonjësit në sektor publik duhet të paraqiten të ndarë në 3 orare të ndryshme, 7, 8 dhe 9 të mëngjesit, kurse në sektorin privat duhet të ketë një numër të limituar punëtorësh në ambientet e punës. Qeveria kërkon po ashtu që punëdhënësit të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia.

Rregullorja e re vjen ndërkohë që ekspertët që këshillojnë qeverinë kanë këmbëngulur se kufizimi i qarkullimit publik duke vendosur bllokime të përkohshme më lagje të ndryshme të Athinës, ose në të gjithë kryeqytetin është "arma më e fortë " për të përmbajtur me sukses rritjen rasteve të reja. Eksperti i sëmundjeve infektive Nikos Sipsas ka paralajëmëruar se edhe nëse rregullat e reja nuk e frenojnë pandeminë, karantina mbetet opsioni i vetëm.

"Ne jemi vetëm një hap përpara një bllokimi," i tha Sipsi, i cili është një anëtar i komitetit të ekspertëve që këshillon qeverinë për reagimin e saj ndaj pandemisë.

Sipas ekspertit, Athina kishte 174 nga 453 rastet e reja të koronavirusit në vendin fqinj dhe tashmë është etiketuar me kodin portokalli.  "Presim që situata të përkeqësohet në çdo moment", thotë Sipsas.

"Ne duhet të veprojmë në mënyrë preventive dhe parandaluese" tha Sipsas, duke paralajmëruar se nëse masat që hynë në fuqi të hënën nuk tregojnë shenja të shpagimit së shpejti, karantinat lokale do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme.

"Bllokimet do të jenë periodike, të vendosura për dy javë derisa kurba e epidemisë të fillojë të rrafshohet dhe mund të shtyhet edhe për dy javë të tjera nëse është e nevojshme," tha Sipsas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë