Lajme

Rëndohet bilanci i atentatit në Laç, çfarë i lidhte viktimat me njëri-tjetrin

Bilanci i atentatit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën e Laçit është rënduar, pas vdekjes në spital të njërit prej dy personave që u plagosën gjatë të shtënave me armë zjarri, ku gjeti vdekjen biznesmeni Bujar Lika, njohur edhe me mbiemrin Hasani.

Paulin Gjergji, 53 vjeç, ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë gjatë orëve të natës, si pasojë e plaagëve të marra nga plumbat. Ndërkohë, po në këtë spital ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë 21-vjeçari Kreshnik Tusha, që gjithashtu u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Gazeta “Si” mëson se grupi hetimor po përpiqet që të zbardhë lidhjen mes Paulin Gjergjit dhe Kreshnik Tushës me biznesmenin 37-vjeçar, Bujar Hasani. Ky i fundit dyshohet se ka qenë shënjestra e sulmit me armë. Paraprakisht policia dyshon se Gjergji dhe Tusha janë personat që kanë qëlluar me armë ndaj biznesmenit Hasani dhe kanë mbetur të plagosur gjatë kthimit të përgjigjes, po me armë zjarri prej këtij të fundit.

Kjo pistë përforcohet nga fakti se pranë trupit të biznesmenit është gjetur një pistoletë, por mbetet ende për t’u provuar shkencërisht nga laboratorët kriminalistikë të policisë, nëse plumbat që plagosën Gjergjin dhe Tushën kanë dalë prej kësaj arme.

Ndërkohë, motivet e ngjarjes mbeten ende mister. Kyç në zbardhjen e saj mund të rezultojë dëshmia e 21-vjeçarit, Kreshnik Tusha. Grupi hetimor ende nuk e ka marrë në pyetje, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të rënduar nga plagët e marra në atentat.

Nga ana tjetër, njëra pistë që po konsiderohet janë dyshimet që e lidhin vrasjen e biznesmenit Bujar Hasani me ngjarjen e ndodhur në 2015, ku në zonën e Dajtit u vra Enton Nikaj. Hasani ishte njëri prej personave që u dënua me 1 vit burg për vrasjen e të riut në atë kohë, e gjithashtu njihej si mik i ngushtë i Ervis Martinajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë