Nga Gazeta Si- Detaje të reja kanë dalë në lidhje me atentatin e një dite më parë në zonën e Don Boskos në Tiranë, ku mbetën të plagosur 45-vjeçari Kastriot Elezaj dhe 22-vjeçari Ronaldo Metushi.
Në fotot e siguruara shihet makina që autorët kanë përdorur për të bërë atentatin dhe me të cilën u larguan nga vendngjarja, për ta djegur disa momente më pas në afërsi të Kamzës.
Brenda këtij mjeti është gjetur edhe një armë zjarri, për të cilën ekspertiza është duke kryer veprimet e mëtejshme hetimore.
Dy të plagosurit kanë lidhje shoqërore ndërsa po verifikohet dhe e kaluara e tyre. Njëri prej tyre, rezulton të jetë me precedentë penalë.
Ndërkohë, të dy kanë deklaruar para policisë se nuk kanë konflikt me askënd.
“Po pija kafe poshtë shtëpisë me Ronaldon, sikurse bëj pothuajse çdo ditë. Nuk kam asnjë angazhim në ditën time, sepse jam i papunë. Autorët nuk i pashë, nuk di të them kush më ka qëlluar, sepse unë nuk kam konflikte me askënd dhe nuk ruhem. Dal çdo ditë në kafe dhe në rrugë”, është shprehur Kastriot Elezi.
Ndërsa 22-vjeçari ka treguar se në momentin e të shtënave ka qenë duke pirë kafe në lokalin ku më parë ai ka punuar si kamarier dhe nuk ka mundur të shohë autorët sepse gjithçka ka ndodhur shumë shpejt.
Tre persona dyshohet se ishin të përfshirë në atentat. Aktualisht, policia po ekzaminon makinën e dyshuar të autorëve, si dhe pistoletën me silenciator për të gjetur të dhëna për autorët. Po ashtu, po kqyren kamerat e sigurisë, që kanë kapur të gjithë ngjarjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.