Ka ndodhur

U qëllua për një shuplakë, zbardhet atentati ndaj Edison Begajt në Vlorë

Një konflikt banal dyshohet të ketë ka qenë shkaku i plagosjes së Edison Begajt në sy të fëmijëve pranë banesës së tij. Policia e Vlorës njoftoi mëngjesin e kësaj të marte se kishte mundur të zbardhte plagosjen e 41-vjeçarit, ngjarje e ndodhur në Kaninë të Vlorës në muajin maj. Kështu, autor i dyshuar i ngjarjes, sipas policisë është Mitri Prifti, një 36-vjeçar nga Tirana, i cili tanimë është shpallur në kërkim.

Policia tha se shkak për ngjarjen ishin bërë motivet e dobëta, ku sipas informacioneve paraprake, mësohet se Begaj e ka qëlluar me një shuplakë në një lokal Mitrin pas një konflikti të çastit.

I maskuar me veshje policie dhe i armatosur me kallashnikov, autori i dyshuar iu afrua dhe pasi shkëmbyen disa fjalë hapi zjarr, duke e lënë 41-vjeçarin të plagosur në derë të shtëpisë. Shënjestra e atentatit mori disa plumba, por pa rrezik për jetën.

Edison Begaj ishte në listën e operacionit forca e ligjit pasi ka qenë i dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për drogë dhe armë. Por edhe autori i atentatit juristi Mitri Prifti është i njohur për organet e drejtësisë.

Në vitin 2016, denoncoi se ai dhe kushëriri i tij ndërtues ishin kërcënuar nga grupi Shullazi në Tiranë. Por brenda pak ditësh i tërhoqi pas akuzat, duke u shprehur se nuk e njihte Emiljano Shullazin dhe as të afërmin e tij, Blerim Shullazi, madje as që kishte dijeni mbi ndonjë kërcënim të mundshëm të ndërtuesit.

Më pas u largua nga Shqipëria por së fundmi është rikthyer dhe është shpallur në kërkim me akuzën e rëndë për atentatin me armë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë