Ka ndodhur

Aksione në disa qytete nga RENEA, arrestohet në Vlorë Edison Begaj

Forcat speciale RENEA dhe FNSH, kanë kryer kontrolle në disa qytete të vendit për kapjen e personave në kërkim apo të autorëve të dyshuar që kanë marrë pjesë në disa ngjarje kriminale. Burime policore bëjnë me dije se kontrollet janë bërë në Elbasan, Durrës, Vlorë, Fier e Lushnjë.

Deri më tani janë shoqëruar dhjetëra persona, të cilët do të merren në pyetje. Të shoqëruarit janë kryerisht persona me precedentë të mëparshëm penal.

Sipas burimeve, në një aksion “blic” në Lungomare të Vlorës, është arrestuar në një lokal Edison Begaj, i cili mbeti i plagosur në gjymtyrë pak ditë më parë në një atentat pranë banesës në sy të fëmijëve të tij. Dyshohet se atij i është gjetur të hënën një armë zjarri të cilën e mbante pa leje.

Në fillim të këtij muaji, një person i veshur me uniformë policie, i është afruar dhe në momentin që 38-vjeçari kishte zbritur të hapte portën e shtëpisë, e ka qëlluar pesë herë.

Begaj arriti t’i shpëtonte atentatit. Ishte gruaja e tij që e dërgoi me shpejtësi në spital. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për larje hesapesh për veprimtari të paligjshme.

Edison Begaj figuron edhe në listën e OFL-së. Ndërkohë gjashtë vite më parë, më 19 mars 2015 ai dyshohet të jetë përfshirë gjithashtu në një përplasje me armë me policinë.

Së bashku me tre persona të tjerë, ai dyshohet se po transportonte drogë me një makinë dhe ka kundërshtuar me armë arrestimin.

Në vitin 2008, Begaj rezulton të jetë arrestuar së bashku me gjashtë persona të tjerë si pjesë e një grupi që trafikonin drogë dhe armë në zonën e Vlorës.

Edhe qyteti i Durrësit, është blinduar nga zbarkimi i forcave RENEA në terren. Objektiv i kontrolleve kanë qenë lokalet ku qëndrojnë personat “problematikë” dhe të dyshuar për lidhje me krimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë