Ka ndodhur

Sherri për një shuplakë që solli atentatin, arrestohet autori i plagosjes së Edison Begajt

Pas katër muajsh në arrati, është arrestuar Mitri Prifti, i cili më 29 maj të këtij viti tentoi të vrasë me armë zjarri Edison Begajn, ngjarje e ndodhur në fshatin Kaninë të Vlorë.

Më herët, Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Arrestimi i Priftit është bërë në bashkëpunim me policinë e Tiranës, e cila ka zbuluar vendndodhjen dhe ka bërë të mundur ndalimin e 36-vjeçarit, duke e sjellë më pas drejt Vlorës.

Shkak i atentatit dyshohet se u bë një përplasje që kishin pasur Begaj dhe Prifti me njëri-tjetrin në zonën e Lungomares në Vlorë.

Të dy ishin konfliktuar në një lokal dhe më pas Begaj e ka qëlluar Priftin me shuplakë. Për këtë shkak pak ditë më vonë Prifti ka bërë atentatin.

Plagosja e Begajt ndodhi pranë banesës së tij, ku të pranishëm ishin edhe fëmijët e tij, ndërsa autori ishte i veshur si polic. 

41-vjeçari mori 4 plumba në gjymtyrët e poshtme të trupit, por mundi të shpëtojë.

Edison Begaj është emër i njohur për drejtësinë. Dy javë pas atentatit ai u arrestua, ndërsa me vete iu gjet një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 5 fishekë, pa leje. Ndërkohë, pak ditë më vonë ai u la i lirë nga Gjykata e Vlorës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë