Lajme

Atentat në Laprakë, vritet 17-vjeçarja; plagoset rëndë i riu

Një vajzë 17-vjeçare është vrarë me armë zjarri, ndërsa një djalë 23 vjeç ka mbetur i plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme (26 dhjetor) në zonën e Laprakës në Tiranë, në rrethana ende të paqarta.

Burime policore thonë se viktimë ka mbetur Brisejda Gjikola, 17 vjeçe, e cila ka humbur jetën në spital, ndërsa ka mbetur i plagosur 23-vjeçari Erjon Bengo.

Dy të rinjtë kanë qenë në një makinë dhe ata kanë rënë pre e një atentati, pasi në drejtim të mjetit të parkuar është qëlluar me breshëri plumbash.

Mbi të rinjtë kanë qëlluar dy persona, të cilët kanë qenë të maskuar dhe po lëviznin në këmbë jashtë makinës “Mercedes Benz A Class” me ngjyrë gri, ku ata ndodheshin.

Plumbat kanë prekur edhe automjete të tjera që ishin pranë vendit të ngjarjes, ndërsa ngjarja mund të kishet përmasa edhe më tragjike.

Pak pas ngjarjes, një ambulancë i transportoi dy të rinjtë në spital dhe në ato momente vajza ishte ende në gjendje vitale, por fatkeqësisht ndërroi jetë më vonë, ndërsa i riu ndodhet në koma.

17-vjeçarja ka marrë një plumb në kokë që ka rezultuar fatal për të, ndërsa 23-vjeçari është plagosur me plumb në qafë. Po ashtu, burime të pakonfirmuara thonë se ata kishin një lidhje dashurie me njëri-tjetrin.

Policia e ka pasur të vështirë të identifikojë dy të rinjtë pasi ata u paraqitën në spital pa mjete identifikimi, por edhe sepse kishin marrë plumba në fytyrë.

Ndërkohë, zona ku ka ndodhur ngjarja është midis disa pallateve dhe jo shumë e ndriçuar, dhe kjo ka ndihmuar në arratisjen e autorëve të atentatit.

Një grup hetimor ndodhet në vendngjarje. Ata janë duke kontrolluar se çfarë kamerash sigurie ndodhen të vendosura nga bizneset e zonës, me qëllim që të hedhin dritë mbi autorët dhe dinamikën e ngjarjes.

Momentalisht në zonën përreth Laprakës, por edhe më gjerë, ka një prani të shtuar policore dhe janë ngritur disa postblloqe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë