Njerez

Ata janë gjyshër, por gjejnë në trung familjar një vëlla të gjashtë. Policia nis hetimin

Ata besonin se ishin 5 fëmijë. Secili madje është bërë prind dhe mandej edhe gjysh. Por rastësia i ka vënë përballë një të fshehte, që u zbulua nga njëri prej tyre. A. K., më e vogla ndër ta, e moshës 52 vjeç, këmbëngul se ka zbuluar që kanë dhe një vëlla tjetër ose në të kundërt dikush e ka futur në certifikatën familjare me qëllim përfitimin e pasurive. Dhe gruaja as që ka hezituar dhe pa një pa dy, ka kallëzuar dhe kërkon që policia të sqarojë nëse vërtet Y.K është vëllai i tyre domethënë fëmija i gjashtë, apo bëhet fjalë për një ngatërresë. Ndonëse burimet e Gazetës “Si” në policinë qendrore kanë hezituar ta regjistrojnë si denoncim, në përfundim janë dorëzuar. “Edhe pse nuk ka vepër penale, ne e mbajtëm shënim qëndrimin e gruas nga Tirana, pasi ajo dorëzoi dhe shkresat ku vërtetohet se Y.K nuk është pjesë e trungut të familjes së tyre”, tha për Gazetën “Si” një zyrtar policie.
Zbulimi
A.K i tha policisë vendore të Tiranës se për arsye familjare shkoi të marrë një certifikatë familjare të kohës kur ajo ishte beqare. "Isha e interesuar për arsyet e mia personale dhe aty gjeta që në mes të motrave dhe vëllezërve të mi ekzistonte dhe një person me emrin Y.K., për të cilin nuk kemi asnjë dijeni as nga prindërit sa ishin gjallë. Prindërit nuk na kanë thënë asnjëherë për një person të tillë”, këmbëngul gruaja.
Para zyrës së krimit ekonomiko-financiar, 52-vjecarja ka thënë kryer hetimet e saj private për të kaluarën e prindërve. Mes disa syresh, për të kuptuar nëse ndonjëri nga prindërit kishte qenë apo jo i martuar përpara se të martoheshin së bashku, A.K. ka pyetur gjerë e gjatë të afërmit në fis.
“Nga sa kam dëgjuar prej tyre, mu tha që babai përpara martesës me nënën, kishte qenë i martuar me një grua tjetër me emrin L. Nga ana e tyre, pas prishjes se martesës nuk është bërë menjëherë ndarja në gjykatë, por është bërë disa vite më vonë”, është shprehur gruaja.
Denoncuesja duke mbledhur çfarë kujtonin të afërmit, shton edhe vendimin gjyqësor të asaj kohe, ku ish-gruaja pohon se nuk kishte fëmijë nga kjo martesë e po ashtu dhe i ati.
"Ky fëmijë që e kanë hedhur për shkaqe që nuk e dimë në trungun e familjes sonë, është i lindur nga martesa tjetër", këmbëngul denoncuesja që numëron veprimet që kreu menjëherë sapo gjeti një vëlla tjetër në certifikatë.
“Hetimi”
"Pajtova një avokat dhe në mënyrë krejt të pavarur gjetëm certifikatën e lindjes dhe të regjistrimit, vendimin e divorcit ku palët pranojnë që nuk kanë fëmijë nga martesa. Zonja në atë kohë tregon se djalin e kishte nga martesa tjetër”, shton A.K për vëllain e ri.
E pyetur nga policia nëse e ka takuar ndonjëherë këtë vëlla, ajo ka tundur kokën në mënyrë mohuese.
“Nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk e kam idenë kush është ky person, ndaj kjo është arsyeja përse kam ardhur në polici, që të gjeni nëse e kemi vërtet vëlla këtë njeri”, ka thënë ajo.
E pyetur nga oficerja e policisë se për çfarë shkaku mund ta kenë futur në listën e familjes së tyre, A.K. e ka një dyshim: “Mund të jetë falsifikuar me qëllime përfitimi, apo mund të jetë neglizhencë. Ndaj kam ardhur te ju, të gjej të vërtetën e kësaj situate dhe të na thoni nëse është apo jo ky person vëllai ynë”.
Për sa më sipër - vëren agjentja e policisë, - është e qartë se nuk ka vepër penale, por gjithsesi se për çfarë bëhet fjalë konkretisht, do të sqarohet në ditët në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë