Skuderia Aston Martin ka bërë tashmë prezantimin e makinës së Botërorit 2021. Është një histori e gjatë e një marke, që nga debutimi në Formula 1 në vitin 1959 e deri te pasuesja e Racing Point.
Më 3 mars 2021 ka lindur zyrtarisht Aston Martin F1, skuderia që do të përballojë Botërorin 2021 me pilotët Sebastian Fetel dhe Lens Stroll. Aston Martin kthehet në Formula 1 pas 61 vitesh nga gara e fundit e bërë me emrin e saj historik. Rikthimi i markës legjendare britanike i dedikohet manjatit kanadez, Lorenc Stroll, që gjatë 2020-ës u bë aksioner maxhoritar dhe president i Aston Martin Lagonda dhe më pas vendosi ta kthejë emrin në F1 me një skuadër zyrtare.
Kështu, Aston Martin nuk do të jetë më sponsor i Red Bull-it, por një skuderi më vete, duke pasuar Racing Point, që lindi nga mbetetjet e Force India. Le të shohim pak historinë e Aston Martin.

Aston Martin u krijua në vitin 1913 si koncesionar makinash dhe pastaj shtëpi prodhuese në vitin 1926. Debutoi në Botërorin e Formula 1 në vitin 1959 me një makinë të quajtur DBR4. Pilotë ishin britaniku Roi Salvadori dhe amerikani Keroll Shelbi. Garën e parë e zhvilloi në Holandë, në cirkuitin e Zandvort, ku të dy pilotët u tërhoqën për probleme në motorë.
Më pas garoi në Angli, Portugali dhe Itali. Rezultati më i mirë janë dy vende të 6-ta të Salvadorit në Silverston dhe Monsanto. Një vit më pas vetëm një garë, e vetmja deri tani në F1 e Aston Martin si skuderi zyrtare: në Silverston DBR5 përfundoi me tërheqjen e Salvadorit dhe vendin e 11-të për Trintignant.

Viti 1959 është edhe viti i sukseseve më të mëdha të Aston Martin. DBR1, e drejtuar nga Salvadori dhe Shelbi fitoi në Le Mansh, ndërsa DBR1 e Trintignant dhe Frere e mbylli në vend të dytë.

Në vitin 1964 një Aston Martin u shfaq në filmin e tretë të aventurave të agjentit secret Xhejms Bond. Shon Koneri ishte protagonist i “Mission Goldfinger” dhe ngiste një DB5. Për markën britanike është hyrja në mit nga dera kryesore. Shtëpia prodhuese u bë tërheqëse falë historive të 007, agjentit sekret.

Në periudhën 2018-2020 marka Aston Martin u kthye në Formula 1 si “title sponsor” i Red Bull-it. Shtëpia britanike vendosi brandin dhe emrin në makinat e projektuara nga Adrian Neëey. Ishte sinjali i rikthimit zyrtar.

Në 2018-ën manjati kanadez Lorenc Stroll bleu Force India, skuderi e F1 në aktivitet nga 2008-a në 2018-ën. Vitin tjetër Stroll ndryshoi emrin e ekipit, që u bë Racing Point, me pilotë Serxhio Perez dhe Lens Stroll, djali i pronarit. Në dy sezone Racing Point zhvilloi 38 gara dhe arriti një fitore (Perez në Sakhir 2020) dhe 3 pode të tjera (2 Stroll dhe 1 Perez në 2020-ën). Ishte ekipi që krijoi bazën e rikthimit të Aston Martin në Formula 1.

Në janar 2020, Lorens Stroll bëri me dije blerjen e aksioneve të Aston Martin Lagonda. Miliarderi mori fillimisht 16%, por operacioni parashikon një shtim të kapitalit deri në më shumë se 25% të aksioneve. Pronari i Racing Point u bë kështu aksioneri kryesor i Aston Martin Lagonda, u zgjodh president dhe zyrtarizoi kthimin e markës në F.1 me një skuadër, pas mbylljes së marrëveshjes me Red Bull-in. Është mbyllja e qarkut me shndërrimin e Racing Point në Aston Martin në 2021.

Në shtator të 2020-ës u bë njoftimi që të gjitë prisnin dhe që përflitej prej kohësh. Sebastian Fetel u bë piloti i parë i Aston Martin në Botërorin F1 2021. Për ish-pilotin e Ferrarit, — 4 herë kampion bote me Red Bull 2010-2013, — nis një aventurë e re. Në krah të tij është Lens Stroll, djali i pronariot të ekipit.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.