Motosport

Aston Martin ëndërron Fetelin për debutimin e madh në Formula 1

Dy javë për të vendosur për të ardhmen. Sebastian Fetel do të vazhdojë të jetë pjesë e Formula 1, me shumë mundësi në timonin e një makine Aston Martin. Skuderia angleze ka bërë këtë zgjedhje, duke ëndërruar një debutim spektakolar në Formula 1.

Sipas prestigjiozes gjermane “Bild”, bisedimet mes palëve janë në një fazë të avancuar dhe gjithçka do të jetë më e qartë brenda 31 korrikut, pasi në kontratën e Serxho Perezit, i cili do t’i linte vendin pilotit gjerman të Ferrarit, ka një klauzolë ndarjeje që duhet të aktivizohet brenda muajit. Konfirmohet ndërkohë Lens Stroll, i cili është edhe djali i pronarit të skuderisë angleze.

Në këtë moment duket shumë e vështirë për ta parë Fetelin te Mercedesi apo Red Bulli, kështu që Aston Martin është pista më konkrete. Vetë piloti 33-vjeçar i ka dribluar pyetjet për të ardhmen. "E ardhmja ime vazhdon të jetë e hapur, nuk kam vendosur asgjë. Gjithçka është e mundur, e vetmja gjë e sigurt është se do të bëj përpjekje maksimale deri në fund të sezonit për ta nxjerrë Ferrarin nga kriza”, - ka thënë piloti gjerman për “Sport1”.
Burimi: Sportmediaset/Përktheu: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë